Kreu i PD-së, Lulzim Basha është takuar sot më Komisionerin Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Në një mesazh në rrjetet sociale, Basha shprehet se me përfaqësuesin e lartë të BE ka diskutuar për miratimin e njëanshëm nga PS të Kodit Zgjedhor. Basha shprehet se ky akt cenon standardin e zgjedhjeve.
“Me Komisionerin e Zgjerimit diskutuam dhe për reformën zgjedhore të miratuar në mënyrë të njëanshme dhe që shembi themelet mbi të cilat u arrit marrëveshja e 5 qershorit. Gjatë bisedës i bëra të ditur zotit Varhelyi se reforma zgjedhore është ndryshuar dhe miratuar në mënyrë të njëanshme, në shkelje të Kushtetutës. PS duke e ditur se ndryshimet janë në kundërshtim me praktikat e mira të zgjedhjeve refuzoi marrjen e mendimit të OSBE/ODHIR. Për herë të parë në Shqipëri u shkelën praktikat konsensuale mbi të cilat janë kryer reformat zgjedhore deri më sot. Ky akt cenon rëndë standardin e zgjedhjeve, të cilat janë kusht i rëndësishëm për të ardhmen dhe integrimin e vendit”,- shprehet kreu i PD-së.
Kreu i PD gjithashtu ka shprehur qëndrimin e opozitës së integrimi i vendit në BE mbetet prioritet kryesor. “Pasi e falenderova për ndihmën e jashtëzakonshme që BE i ka dhënë Shqipërisë për përballimin e pasojave të tërmetit dhe të pandemisë e informova për situatën tejet të vështirë ekonomike dhe korrupsionin që po i varfëron gjithnjë e më shumë shqiptarët dhe po mban larg investitorët e huaj. Në këtë situatë të vështirë ndihma e BE-së është jetike për të rritur mirëqenien dhe mbështetur sipërmarrjen. E sigurova Komisionierin Varhelyi se për Partinë Demokratike dhe Opozitën e Bashkuar mbetet prioritet integrimi europian i Shqipërisë dhe krijimi i mundësive për shqiptarët që të jetojnë si europianë në vendin e tyre”,– deklaron kreu i PD-së.