Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka shkuar sot në qytetin e Kurbinit dhe ka nisur atje takimet me biznesmenë dhe qytetarë për t'u prezantuar atyre, planin e Rimëkëmbjes së propozuar nga PD-ja për të ndihmuar qytetarët këto 6 muaj të përballojnë pasojat e krizës. “ Sot ne kemi vetëm fjalën, ngremë zërin, kurse nesër të jeni i sigurtë se do të bëjmë shumë gjëra”, premtoi ai.
Kryetari i PD-së, ka dëgjuar së pari, shqetësimin e një bujku, që tregoi se ai prodhonte vetëm sa për familjen, jo për treg, sepse nuk e përballonte dot, duke filluar që nga mekanika.
“Për bujqësinë ne kemi një plan, - sqaroi Basha, - që plotëson nevojat tuaja dhe në të së pari është subvencioni, siç vepron Kosova dhe më tej, heqjen e “taksës Rama” mbi naftën. Këto sot janë plan, nesër do të jenë realitet. Na pret një betejë përpara që nuk do të jetë e lehtë. Sot ne kemi fjalën, nesër do të marrim vendimet tona sa ta largojmë këtë të keqe".