Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë, pavarësisht se rekomandonte zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare për nisjen e negociatave, do të shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave të BE më 13 tetor. Vendet anëtare do të vendosin nëse miratimin e rekomandimit ose rrëzimin e tij.
Holanda është vendi i parë i BE që ka një qëndrim krejt ndryshe nga KE lidhur me realizimin e reformave në Shqipëri. Vetëm 5 ditë përpara takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok, deklaroi përpara deputetëve në Hagë se do të kërkojë zyrtarisht ndarjen e Shkupit nga Tirana për hapjen e negociatave dhe konferencën ndërqeveritare. Blok thotë se vetëm Maqedonia e Veriut i ka plotësuar kushtet e paracaktuara për hapjen e negociatave në muajin dhjetor të këtij viti.
“Ne mirëpresim dallimin e bërë midis kornizave negociatore për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo është në përputhje me qëllimin e qeverisë për të shkëputur fatin e tyre për negociatat. Sepse, në fund të fundit, negociatat duhet të bazohen në meritat individuale të të dy vendeve. Për këtë arsye është e rëndësishme që të zhvillohen dy procese të pavarura negocimi”,- tha Blok.
Gjithashtu duke folur më konkretisht për konferencën e parë qeveritare të Shqipërisë për çeljen e negociatave, ai është treguar i qartë duke deklaruar se gjithçka varej nga veprimet konkrete të qeverisë së Shqipërisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat deri më tani nuk janë kryer.
“Mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare me Shqipërinë varej nga veprimet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Demonstrimi i një historiku me fakte në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ishte dhe mbetet një nga kushtet vendimtare në gjykimin për Shqipërinë. Jemi informuar për mosmarrëveshjet për Reformën e re Zgjedhore si dhe pengesat në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi ministri i Jashtëm në parlamentin e Holandës.