Ambasadori britanik në Shqipëri Duncan Norman nga Korça, ku mori pjesë në inaugurimin e ambienteve të reja për dhomën miqësore të intervistimit të fëmijëve për Policinë e Shtetit në komisariatin e policisë Korçë, bëri disa deklarata të rëndësishme politike
Norman tha se ambasada britanike në Shqipëri ka qenë ngushtësisht e përfshirë në reformën zgjedhore dhe në zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit.
“Siç jeni në dijeni, Britania e Madhe, Ambasada Amerikane dhe ajo e BE-së kanë qenë ngushtësisht të përfshira në reformën zgjedhore dhe në marrëveshjen e 5 qershorit, për të cilat u desh një kohë e gjatë pune për të arritur që të përputhej me rekomandimet që ka bërë OSBE ODHIR në lidhje me të.
Kjo gjë nuk ka ndryshuar. Pra, marrëveshja e 5 qershorit nuk ka ndryshuar. Ato që kanë ndryshuar janë ato çfarë u pasuan me ndryshimet kushtetuese pas miratimit të 5 qershorit. Unë po them atë që kam thënë më parë, se qeveria britanike është e zhgënjyer që ka pasur një vazhdimësi për ndryshimet kushtetuese përtej asaj çfarë ishte dakordësuar në 5 qershor. Kjo gjë nuk ka ndryshuar për sa i përket ambasadës sonë. Pjesa për të cilën unë jam zhgënjyer është fakti që Shqipëria ka një kohë të gjatë bërjesh reformash në mënyrë konsensuale dhe këtë herë kjo gjë nuk ndodhi”, tha ai.
Norman shtoi se Gjykata Kushtetuese duhet të formohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Ky është burimi i shqetësimit tim. Mendoj se nuk do ishte e drejtë si ambasador të komentoja mbi atë çfarë është ose jo e drejtë të bëjë presidenti i një vendi. Në mendimin tim është shumë e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese të formohet sa më parë sepse mendoj që luan një rol të rëndësishëm ,pra duhet të jetë prioritet absolut formimi saj.
Përsa i përket zgjedhjeve të lira dhe të ndershme çdo vend mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme për sa kohë politikanët punojnë ta bëjnë këtë gjë që të ndodhë. Ndonjëherë dëshira ose vullneti politik është më i mirë sesa sistemi politik”, u shpreh ambasadori britanik.
Norman nuk pranoi të përgjigjet nëse këto vendime të maxhorancës socialiste dëmtojnë integrimin e Shqipërisë, duke thënë se Mbretëria e Bashkuar nuk është më pjesë e BE-së dhe për këtë duhen pyetur ambasadorët e Bashkimit Europian.