Presidenti i Republikës Ilir Meta u ka bërë thirrje juristëve më të njohur në vend, kur ka mbetur edhe një ditë nga mbyllja e afatit, të aplikojnë për vendet vankante në Gjykatën Kushtetuese. Meta sqaron se është hera e tretë që e shpall këtë thirrje për një vakancë të krijuar prej 2018 dhe kërkon nga juristët që të aplikojnë dhe mos kenë frikë nga procesi i verifikimit në KED.
DEKLARATË E INSTITUCIONIT TË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS
13 TETOR 2020
Presidenti I Republikës Sh.T.Z Ilir Meta menjëherë pasi mori njoftimin nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në datën 24 shtator 2020 rishpalli për të tretën herë procedurën e aplikimit për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese “vakancë e parakohshme”, për shkak të përfundimit para kohe të mandatit të një prej ish-gjyqtarëve që në 7 shkurt të vitit 2018
Kjo shpallje është publikuar në faqen zyrtare të internetit tëInstitucionit tëPresidentit të Republikës, në shtypin e shkruar, në Fletoren Zyrtare dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, si dhe në gjithë mjetet e tjera të informimit publik përfshi dhe mediat audiovizive.
Është e treta here që Presidenti I Republikës shpall thirrjen për plotësimin këtij vendi vakant, pasi në të dy procedurat e mëparshme të datës 7 shkurt 2018 dhe të datës 27 shtator 2019, kandidatët që shprehën interesin ose janë tërhequr gjatë garës, ose nuk janë kualifikuar nga KED gjatë procesit të verifikimit të tyre, duke pamundësuar kështu sigurimin e një numri të mjaftueshëm kandidatësh për ushtrimin e të drejtës së emërimit të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese për këtë vend vakant.
Afati i paraqitjes së kërkesës për shprehjen e interesit, për këtë vend vakant është nesër data 14 tetor 2020.
Sot kur kanë ngelur edhe 1 DITË nga përfundimi i këtij afati i bëjmë thirrje publike dhe inkurajojmë të gjithë juristët me integritet, pjesë e sistemit të drejtësisë ose jo, që plotësojnë kushtet e kandidimit të mos hezitojnë për të aplikuar për këtë pozicion në Gjykatën Kushtetuese që i përket për plotësim Presidentit të Republikës.
Pas përfundimit të procedurës së aplikimit, lista e kandidatëve aplikues dhe dokumentacioni shoqërues i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vlerësim sipas ligjit.
Emërimi si Gjykatës Kushtetues, është nder për personin që aplikon dhe një shërbim i madh për Shqipërinë, për ruajtjen e sovrantitetit dhe demokracisë së vendit, dhe mbi të gjitha një hap i rëndësishëm për të ardhmen Evropiane të Shqipërisë.
Ripërtëritja dhe bërja plotësisht funksionale e Gjykatës Kushtetuese, por dhe e Gjykatës së Lartë janë kushte kryesore të çeljes së negociatave dhe plotësimi i këtyre kushteve kërkon jo vetëm angazhimin e të gjitha institucioneve të përfshira por duhet të gjejë dhe mbështetjen e shoqërisë shqiptare e cila brenda saj ka plotë juristë me integritet që dëshirojnë të japin kontributin e tyre në këtë proces kaq të rëndësishëm.
Për juristët me integritet, edhe sikur 1 ditë të vetme të jenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese është vlerë e shtuar në karrierën e tyre në sistemin e drejtësisë.
Ripërtëritja e Gjykatës Kushtetuese është jetike për Shqipërinë!
Thirrja është e hapur deri në datën 14 tetor, ndaj Presidenti i Republikës sot i fton të aplikojnë dhe të mos ndihen të frikësuar nga procesi i verifikimit që do të pasojë në KED.
Presidenti i Republikës, përsërit edhe një here thirrrjen për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, të përfundojë sa më parë e sipas ligjit shqyrtimin e kandidaturave për vendin vakant që aktualisht ka në proces, dhe të angazhohet me të gjitha kapacitetet për vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve dhe t`i propozojë Presidentit listën e kandidatëve për plotësimin e kësaj vakance, sipas ligjit.
Presidenti i Republikës përsërit edhe një here thirrjen ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor që të punojë në mënyrë të pandërprerë në drejtim të verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave për plotësimin e të gjitha vendeve vakant në Gjykatën e Lartë, e cila jo vetëm që duhet të jetë plotësisht funksionale sa më shpejt për shqyrtimin e çështjeve të mbartura, por kjo Gjykatë është përgjegjëse për të emëruar dhe 3 anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese duhet të jetë plotësisht funksionale me të 9 anëtarët e saj, në mënyrë qëgjatë shqyrtimittë çështjeve kjo trupë gjyqësore të mos hasë në asnjë pengesë proceduriale që bën të pamundur marrjen e vendimeve për themelin e pretendimeve kushtetutese të ngritura nga palët.
Më poshtë gjeni linkun përkatës ku gjendet shpallja për aplikim.