Armand Maho
Rama u mundua të shfaqej i sigurtë nga Kukësi, kur në tentativën e disatë për të bërë shqiptarët për budallenj, u shpreh se do qëndrojë në atë karrige që e mban forcërisht, deri në vitin 2029. Ata që e njohin e dinë fort mirë, se këmbënguljen për të mos pranuar realitetin e ka të lindur. Si në kohën kur luante basketboll, dhe grindej me trajnerin sepse nuk pranonte vendimin për të lënë fushën e lojës. Ose, siç shprehej në vitin 2011, se ai në zgjedhje po hynte për të marrë këshillin bashkiak që nuk e kontrollonte, dhe më pas vajtonte dyerve të kancelarive për votat e hedhura në kutitë e gabuara.
Apo, kur mundohej të fitonte zgjedhjet e vitit 2009, duke imituar Obamën, dhe nuk la bodyguard të Nanos dhe roje të selisë së PS-së pa ngjitur në skenë. Dhe atëherë, kështu mburrej se do fitonte me uragan votash.
Dështoi dy herë rresht dhe u desh bashkimi me Ilir Metën në vitin 2013 që të shijonte karrigen e kryeministrit, pasi sot do i ishte kthyer zanatit të vjetër të ndonje pikture. Që këto janë muajt e tij të fundit në pushtet ai e di boll mirë, se ja kanë thënë shqytarët e tij, e vetmja gjë nuk di është mënyra se si do ikë, duke qarë apo duke kërcyer.
Pra, do mund të shijojë ndonjë pleqëri të qetë në Vuno me Koço Kokëdhimën, apo do endet dyerve të SPAK dhe hetuesive për të sqaruar pozicionin dhe statusin e tij juridik në lidhje me zullumet që ka bërë këto tetë vjet. Pas 25 prillit, ai s’do jetë më kryeministri Rama, po shtetasi Edi Rama, “I barabartë mes të barabartëve”, siç ka qejf ta citojë ai shpesh.
Në llumin ku na ka zhytur, pasi ka lënë vendin për tre vjet pa gjykata, pasi shkatërroi në qelizë çdo gjë të arritur në drejtësi, Rama premton drejtësi në mandatin e tretë. Drejtësi për politikanët, sepse atëherë sistemi do jetë funksional. “O tempora, o mores”, do ulërinte Ciceroni. Njësoj në mos më keq do vinin kujën dhe fakirët që drejtësia e Edi Ramës i burgosi për fajin se ishin të këputur dhe skishin të paguanin dritat. Çfarë duhet të thotë ai babai që humbi vogëlushët e tij rrugës për në burgun e Rrogozhinës, teksa shkonin për të hequr mallin. U arrestua dhe ishte ne qeli, sepsr tentoi të zinte të çarat e çatisë që pikonin, në një kohë kur Rama i lejon vetes dhe shërbestarit të tij në Bashkinë e Tiranës, të shembë teatro e të ngrejë kulla ku t’i dojë qefi. Po njerzit e Ardit Gjoklajt çduhet të bëjnë?
A e beson ai, se Rama do mund të çojë në burg të gjithë zullumqarët që ka pas vetes. A do e besojë ai se pikërisht arkitekti i kanabizimit të vendit dhe PPP-ve, do çojë në burg klientët dhe bashkëpunëtorët e tij? Duhet me qenë marre e madhe t’ja tregosh atij funksionimin e drejtësisë. Por kryeministri, këtë veti njerëzore nuk e njeh.
Në këtë vend kanë ndodhur shumë gjëra. Shumë herë nga padija dhe të tjera nga djallëzia. Por, ajo që ka ngjarë në epokën e Rilindjes, duhet të shkruhet në tekste si një pikë e zezë e historisë sonë. Ata që s’kanë lindur, ose nuk kuptojnë, duhet ta mësojnëse se çfarë ndodhi këto 8 vjet.
Se si u vodhën në mënyrë përçudnuese taksat e baballarëve dhe gjyshërve të tyre. Se si krimi i të gjitha ngjyrave vendoste për të ardhmen e tyre. Se si hipnoza e propagandës, vazhdoi të kishte efekt tek disa që mbanin peng disa të tjerë. Apo se si populli s’duhet të bëjë një marrëzi tjetër, duke votuar ata që premtojnë “Rilindjen”. Sepse rilindjen s’mund ta sjellin të ngjashmit e Erjon Veliajt, Elisa Spiropalit apo me keq akoma të Edi Ramës. Në qytetërime të tjera ata janë qëlluar me gurë dhe kanë përfunduar në kazanin e historisë.