Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi thotë se më 25 prill, do të marrë fund tranzicioni shqiptar.
Nga Durrësi ku shpërndau karta anëtarësie për të rinjtë atje, Kryemadhi u shpreh se vendi nuk mund të mbahet peng nga një njeri.
“Por iu jap fjalën si nënë, që tranzicioni në LSI ka marrë fund, por nuk do të marrë fund vetëm në LSI. Do të marri fund me 25 prill në Shqipëri, sepse vota juaj, vota e familjeve tuaja, vota e qytetarëve të Durrësit do të jetë avangarde dhe do të jetë lokomotiva e trenit të ndryshimit në Shqipëri, për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë tranzicionit kriminal, për të dërmuar njëherë e përgjithmonë këtë farsë të keqe që shkatërroi të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve.
Sot politika afatgjatë e Rilindjes dhe Edi Ramës për shpopullimin e Shqipërisë do të marrë fund, sepse ju çdo ditë nuk do të ndaleni, që nga gjimnazi “Gjergj Kastrioti” te “Sami Frashëri”, deri te shkollat profesionale dhe në shkollat 9 vjeçare për të bindur çdo fëmijë që Shqipëria është shtëpia e tyre, që Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve dhe farsa shpopullimit për të larguar djemtë dhe vajzat e shqiptarëve nga Shqipëria do të marrë fund. Ne do të shpopullojmë krimin nga Shqipëria dhe do të popullojmë Shqipërinë me djemtë dhe vajzat tona, të cilët këta i kanë larguar nga Shqipëria dhe ne do t’i kthejmë. Sepse ne besojmë te ju, ne besojmë te rinia, ne besojmë te fëmijët tanë, ne i duam dhe do t’ju ndihmojmë, do t’ju përkrahim, do t’ju hapim rrugën që ju të ecni të sigurt dhe për të qenë jo vetëm vendimmarrës, por për të qenë zbatues të politikave dhe të realizimit të reformave e strategjive afatgjata, afatmesme për të ndryshuar të ardhmen tuaj dhe për ta ndërtuar atë në Shqipëri.
Unë iu jam shumë mirënjohëse dhe dua të falenderoj të gjithë grupin organizator që arritët të bënit një takim të mrekullueshëm në këtë ditë që Zoti ua dhuroi ju, duke u lutur dhe duke i kërkuar Zotit që t’ju ruaj ju, familjet tuaja, të ketë kujdes për ju. T’ju japi mundësinë, mençurinë dhe t’ju ndriçojë shpirtin që të bëni gjërat e duhura për familjet tuaja, për veten tuaj, për të ardhmen tuaj. Zoti iu bekoftë ju, bekoftë shqiptarët kudo që janë, sepse vetëm kujdesja e Zotit dhe dora e Tij do të na drejtojë në rrugën e duhur. Si gjithmonë pa ëndrrat tuaja, pa vrullin tuaj, pa dëshirat tuaja ajo nuk do të jetë e mundur.
Ndaj mirëse erdhët në LSI! Ne kemi dhe traditën që do të shpërndajmë kartat e LSI dhe kjo është forca e LSI, energjia e LSI, themeli i LSI. Ikin dhe vijnë njerëz pa fund, por e vetmja gjë që ngelet është rinia, ajo që nuk ndahet asnjë moment nga LSI“, deklaroi Kryemadhi