PD i përgjigjet Ramës: Një vit nga tërmeti dhe nuk është mbajtur asnjë premtim! Nuk ka propagandë që e fsheh të vërtetën

Hënë, 02 November 2020 09:08

 

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot pamjet nga kantieri i ndërtimit në Laç, ku siç thotë ai qyteti po rizgjohet nga rrënojat e tërmetit.

Por në një reagim, Partia Demokratike thotë se kur ka kaluar një vit nga tërmeti nuk ka asnjë shtëpi të ndërtuar, asnjë shkollë, asnjë spital të përfunduar në Laç.

 

Në një status në Facebook, shefi i kabinetit të Lulzim Bashës, Dorian Teliti shkruan se Edi Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim.

“ER nuk mbajti asnjë premtim. Ai shfaqet në sheshet e ndërtimit me regjinë qëndrore të propagandës dhe sapo ai ikën nga sheshi i teatrit të propagandës largohen dhe fadromat për t’u zhvendosur në një shesh tjetër, atje ku propaganda nis shfaqjen e radhës.

Në Laç, një vit pas tërmetit, vetëm janë lidhur kontratat për banesat individuale dhe janë hedhur themelet.

Për godinat publike, është paraqitur një projekt në 3D por nuk ka asnjë zbatim dhe asnjë projekt nuk është prokuruar.

Nuk ka propagandë dhe regji qëndrore që mund të fshehë të vërtetën”, shkruan Teliti.

Login to post comments