Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ka quajtur të padrejtë dhe të pakonsultuar vendimin e qeverisë për të kaluar universitetet online.
Kryemadhi thotë se qeveria po tallet me studentët pasi nuk i ofron mësim normal si dhe merr vendime të pakonsultuara si me studentët, ashtu dhe me stafin akademik.
Për më tepër ajo thotë se ka mungesë infrasturkture për mësimin online si dhe shton se LSI ka kërkuar që në mars subvencionimin 100% të studentëve, por qeveria abuzon me ta dhe me familjet e tyre që kanë kosto të rënda ekonomike tashmë.
”Vendime që nuk janë konsultuar asnjëherë as me studentët, as me stafin akademik. Studentët pjesë e talljes, abuzimit të qeverisjes në ikje dhe me vazhdimësinë e kësaj situate shkon dhe në mbyllje të universiteteve, duke u mbyllur studentëve mundësitë për një mësim normal si gjithë studentët, por nga ana tjetër mungesa e infrastrukturës e bën edhe më të vështirë mësimin.
Ajo që ne kemi kërkuar ka qenë subvencionim 100% të studentëve. Situata ku ka ndodhur është një situatë që studentët kanë qenë të papërgatitur, qiratë, tarifat. E pamë në karantinën e parë që studentët i nxorën jashtë loje të gjitha proceset që kishin bërë pagesat e mëpërparshme. Shumë familje kanë kosto shumë të mëdhaja ekonomike. Në takimin që mora pjesë me gratë naftëtare, shumica e tyre i kishin edhe fëmijët në universitete, dhe shumë prej problemeve tashmë i bashkëngjitet dhe mësimi online.
FSHN dhe Mjekësia, që bazën kryesore kanë laboratorët dhe praktikat e kanë shumë më të vështirë. Do të doja të dija nëse është pyetur apo jo ministrja e arsimit. Për mos folur më pas për situatën ekonomike, arrogancës qeverisëse që po e rëndon.”- tha Kryemadhi