Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar ashpër ndaj kërcënimeve për luftë nga presidneti serb Alekdandër Vuçiç.
Duke e cilësuar si “këlyshin e Rusisë” që po tenton bashkë me Moskën, të minojnë stabilitetin në Ballkan, por me siguri, do të dështojnë, njësoj sikurse kapitullimi i tyre famëkeq në 1999-n, shkruan Haradinaj-Stublla në Facebook.
Postimi i plotë i Meliza Haradinaj-Stublla
Pas nxitjes së luftimeve në Nagorno-Karabakh me armë të prodhuara në Serbi, Serbia në krye me Vuçiqin – Ministrin e Propagandës së Millosheviqit - tani po kërcënon të gjitha shtetet fqinje të rreshtuara me NATOn se do të vazhdojë forcimin ushtarak për t’u përgaditur për luftëra të reja në Ballkan!
Politika dhe qasja e Serbisë nën rolin e “këlyshit të Rusisë” është qartazi kundër vlerave evropiane, dhe kundër politikave të NATOs për stabilitet dhe siguri në Ballkan.
Të gjitha përpjekjet ruso-serbe për të minuar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon janë të papranueshme për Kosovën, dhe do të dështojnë ashtu siç kapitulluan turpshëm në vitin 1999.