Avokatët e presidentit të “Yldon Media Group” dorëzuan sot (16 nëntor 2020) në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar kërkesën për revokimin e masës së sekuestros së pasurive të zotit Ylli Ndroqi.
Mes pasurive të sekuestruara janë dhe televizionet RTV Ora dhe Ora News.
Veç provave të prokurorisë avokatët e zotit Ylli Ndroqi, Jordan Daci dhe Besnik Muçi kanë paraqitur edhe prova të tjera.
Avokati Jordan Daci: “Ne i kemi mundësuar përveç çfarë ka pasur prokuroria dhe provat të reja të cilat tregojnë zhvillime të reja në aspektin financiar dhe ekonomik për aktivitetet financiare dhe që tregojnë urgjencën që kjo çështje ka, për tu shqyrtuar. Nga ana tjetër janë disa prova nga palë të treta që sigurisht ngrenë pretendime të ngjashme me tonat por përsëri tregojnë pathemelisinë që ka pasur organi i akuzës”
Avokatët mbështesin kërkesën në ligj.
Avokati Jordan Daci: “Ndryshimet e ligjit të vitit 2017 lejojnë kërkesën për revokim të sekuestros në çdo kohë. Pra nuk shihet domosdoshmëri fillimi i procesit sa i takon fatit përfundimtar që do të thotë konfiskim apo jo, pasi vetë sekuestro është masë paraprake.
Fillimisht kërkesa për heqjen e sekuestros iu drejtua Prokurorisë së Posaçme por edhe pse ajo ka detyrimin për të kthyer përgjigje një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Avokat: Jordan Daci: Shohim mungesë dëshire për të shtrirë hetimin në këtë dimension. Nuk është ligjore moskthimi i përgjigjes. Duhet të bëhet brenda 15 ditësh.
Avokat Besnik Muçi: Ligji i antimafias detyron subjektin që i sekuestrohet pasuria të provojë burimin e pasurisë. Në këto kushte ne jemi aktivë në këtë proces. Nëse prokuroria nuk është aktive është detyra jonë ligjore të jemi aktive. Në këto kushte mos veprimi i prokurorisë nuk është i drejtë as në respektim të dispozitave ligjore ndaj dhe ne i drejtohemi gjykatës. Ky është proces që na detyron ne të mbledhim prova. Zoti Ndroqi ka mbledhur të gjitha provat që provojnë burimin e ligjshëm të pasurisë.
Seanca së shpejti
Seanca pritet të caktohet së shpejti dhe avokatët nënvizojnë se provat janë të detyrueshme për tu marrë në shqyrtim
Avokati Jordan Daci : Nëse ne do të ishim në një pozitë të vështirë procedurale sigurisht që nuk do të nguteshim për këtë proces. Kërkesa jonë është dukshëm e bazuar. Shpresojmë që dhe gjykata të bindet. Ne nuk e kemi humbur besimin as nuk paragjykojmë qëndrimin përfundimtar por shije të mirë nuk na lë.
Së shpejti do të caktohet një seancë dhe provat që kemi paraqitur janë të detyrueshme për tu marrë në shqyrtim dhe të detyrueshme pë tu vlerësuar. E drejta për tu drejtuar gjykatës dhe për të dëgjuar pretendimet tona është absolute.
Prej disa muajsh “Yldon Media Group” dhe presidenti i saj Ylli Ndroqi gjenden në një presion të fortë politik dhe policor, ku nuk kanë munguar as aksionet show në ambientet e RTV Ora dhe Ora News.