Sipas parashikimeve të reja të lëshuara së fundmi nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare rimëkëmbja e ekonomive të Evropës Lindore ku bën pjesë edhe Shqipëria do të jetë e ngadaltë dhe do të varet nga suksesi në menaxhimin e pandemisë pa aplikuar masat bllokuese, si dhe nga vazhdimi i mbështetjes me masa nga qeveritë.
Në parashikimet e reja Instituti i Vjenës raporton se, ekonomia e Shqipërisë do të shënojë rënie me 6.4 për qind nga -5 për qind që ishin parashikimet e majit 2020, ndërkohe që ka rritur pritshmëritë për ecurinë e ekonomisë në vitin 2021 me 0.8 pikë përqindje. Sipas ekspertëve të Vjenës, ekonomia e vendit do të rritet me 4.6 për qind vitin që vjen.
Në Rajon rënien më të madhe të ekonomisë pritet ta ketë Mali i Zi me 9 për qind për shkak të varësisë së lartë nga turizmit, Pas Malit të zi e dyta në rajon për thellësinë e rënies është Shqipëria dhe më pas Maqedonia. Më butë do të jetë rënia për Serbinë, pasi ekspertët e Vjenës parashikojnë një tkurrje me 2 për qind.
Ekspertët e Vjenës analizojnë se shumica e ekonomive në Europën Lindore i rezistoi valës së parë të pandemisë më mirë sesa Evropa Perëndimore, por shumë ekonomi në rajon si Kroacia, Mali i Zi dhe Shqipëria i ndjenë më shumë pasojat për shkak ekspozimit të lartë ndaj sektorit të turizmit.
Mirëpo vala e dytë përshpejtuese e pandemisë solli rivendosjen e bllokimeve, të cilat mund të intensifikohen në muajt e ardhshëm, duke e bërë të sigurt tashmë rënien e thellë. Ekonomistët e Vjenës besojnë se, perspektiva afatmesme është jashtëzakonisht e pasigurt. Pas një tkurrjeje të vlerësuar prej 4.5% këtë vit, rajoni duhet të rritet me 3.1% në 2021 dhe me 3.3% në 2022.
Në këtë skenar vetëm Lituania, Serbia dhe Turqia do të arrijnë nivelet e 2019 para vitit 2022, ndërsa Mali i Zi, Kroacia dhe Shqipëria do të duan më shumë kohë. Përveç potencialit për bllokime më të rrepta në muajt e dimrit, pandemia do të lërë pasoja afatgjata në konsum, duke i çuar në depresion disa shërbime, të tilla si aviacioni, hotelet dhe rekreacioni.
Instituti i Vjenës këshilloi se, mbështetjet e mëtejshme nga qeveritë janë të nevojshme në të gjithë rajonin.
Pas heqjes së masave bllokuese në tremujorin e tretë tregtia me pakicë u rrit e nxitur nga blerjet e munguara gjatë bllokimit, dhe zinxhirët ndërkombëtarë të prodhimit rifilluan funksionimin. Megjithatë, nivelet e para krizës së aktivitetit ekonomik nuk janë arritur. Përveç kësaj, vala e dytë e pandemisë, e cila filloi në shumë vende të CESEE në shtator, ka ngritur shqetësime mbi aftësinë e sistemeve të kujdesit shëndetësor për të përballuar numrin në rritje të shtrimeve në spital.
Në skenarin bazë, i cili supozon se një vaksinë do të frenojë pandeminë pa nevojën e bllokimeve të gjata, ekonomitë e CESEE parashikohet të rriten mesatarisht me 3.1% në 2021 dhe 3.3% në 2022.