Super vjedhja tjeter e Rilindjes/Çmendet qeveria, koncesion i ri 200 milionë dollarësh për kolaudimin e makinave

Tuesday, 01 December 2020 13:12

 

Nga Klodian Tomorri

Pak ditë më parë përmes një shkrese zyrtare, Ministria e Infrastrukturës ka urdhëruar kompaninë koncesionare SGS që të transferojë në pronësi të shtetit Qendrat e Kontrollit Teknik të mjeteve si dhe të gjitha asetet e tjera të koncesionit për kolaudimin e makinave. Në të njëjtën shkresë urdhërohet Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, që të marrë në pronësi asetet e koncesionarit brenda datës 31 dhjetor të këtij viti për shkak të përfundimit të kontratës.
Por rikthimi i aseteve në shtet, është vetëm fillimi i një afere tjetër të çmendur. Nën petkun e liberalizimit, kolaudimi i automjeteve do të jepet sërish me koncesion, por me një faturë të dyfishtë për qytetarët.

Sipas skemës së përgatitur nga qeveria, shërbimi i Kontrollit Teknik të automjeteve do të ndahet në dy procese. Procesi i parë është ai kontrollit Teknik, që aktualisht kryhet nga kompania SGS. Pas 1 janarit të vitit të ardhshëm, kolaudimi i automjeteve do të kryhet nga disa kompani njëherësh, që do të licencohen për këtë qëllim duke dhënë kështu idenë e liberalizimit të tregut.

 

Por të gjitha këto kompani apo servise që do të licencohen për të bërë kolaudimin e makinave, do mbikëqyren nga një koncesion monopol. Në relacionin e buxhetit të vitit 2021, qeveria ka zbuluar se kompania, e cila do të marrë monopolin e mbikëqyrjes së infrastrukturës dhe bazës së të dhënave të privatëve që do të bëjnë kolaudimin, do të paguhet plot 200 milionë dollarë. Ende nuk është e qarte nëse këto para do te paguhen nga buxheti apo përmes tarifave, por me shume gjasa ka kjo e dyta.

Pra skema e qeverisë i ngarkon qytetarët me pagesë dyfishe për kolaudimin e makinave. Së pari, kur të bëjnë kolaudimin e makinave do të paguajnë tarifë tek kompanitë private njësoj si sot. Por veç tarifës së kolaudimit, do te paguhen edhe miliarda lekë të tjera për kompaninë koncesionare, e cila do të mbikëqyre kompanitë e kolaudimit.

I gjithë ky projekt është një marrëzi e mirëfilltë ekonomike. Për ta ilustruar këtë mjafton vetëm një fakt i thjeshtë. Vetëm fatura 200 milionë dollarë, që do të paguhet për koncesionarin e mbikëqyrjes së kolaudimit është më e madhe se sa e gjithë fatura që qytetarët kanë paguar në 10 vjet për koncesionin ekzistues të SGS-së. Nëse shtohet edhe fatura që qytetarët do të paguajnë përmes tarifës tek kompanitë e kolaudimit pas 1 janarit, atëherë shërbimi i kontrollit Teknik të mjeteve në dhjetë vitet e ardhshme do të kushtojë të paktën 2 herë më shumë nga sa kushton tani.

Nga ana tjetër urdhri i Ministrisë së Infrastrukturës, që detyron Drejtorinë e Shërbimit të Transportit të marrë në pronësinë e shtetit asetet e koncesionit ekzistues deri në datën 31 dhjetor të këtij vitit, sinjalizon se koncesioni i ri mund të jepet përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

Ky është një koncesion, pa asnjë llogjikë ekonomike dhe financiare i shpikur vetëm për të zhvatur qytetarët. Si i tillë, ky projekt duhet penguar me çdo kusht dhe me çdo formë.

Koncesioni ekzistues i kolaudimit u dha si monopol dhjetë vjeçar tek kompania SGS, me argumentin se kompania private do të investonte 8 milionë euro për të ngritur qendrat e kontrollit teknik të mjeteve. Tashmë Shqipëria ka 13 qendra moderne për kontrollin Teknik të mjeteve, në çdo rajon. Dhënia e një monopoli të ri pa kryer asnjë investim dhe me faturë dyfishe për qytetarët nuk ka asnjë shpjegim racional apo logjikë ekonomike, përveçse atë të aferës përpara zgjedhjeve.

Shërbimi i Kontrollit Teknik të mjeteve mund të liberalizohet, por mbikëqyrja duhet të mbetet shërbim shtetëror. Ky është një shërbim që fare mirë mund ta kryejë edhe vetë Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, pa patur nevojë që qytetaret te paguajnë 200 milionë dollarë.

Modifikuar më Tuesday, 01 December 2020 13:18
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...