Grupi i Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit, i njohur ndryshe si GRECO ka publikuar një raport vlerësimi, ku thuhet Shqipëria duhet të zbatojë kuadrin ligjor për të parandaluar korrupsionin e ministrave, këshilltarëve të tyre dhe policisë.
Në një raport të publikuar sot, Grupi i Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit GRECO vlerëson “kuadrin ligjor për parandalimin e korrupsionit mes personave të cilëve u janë besuar funksione të larta ekzekutive (PTEF) dhe Policisë së Shtetit në Shqipëri si gjithëpërfshirës, por disi të shkëputur dhe tepër kompleks. Fokusi tani duhet të vihet në koherencën e tij të përgjithshme dhe në zbatimin efektiv, në përmirësimin e kapaciteteve të organeve përgjegjëse për zbatimin e tij dhe në miratimin e një qasjeje proaktive në drejtim të hetimeve”.
Vlerësimi për Ministritë
Në raport thuhet se Ministritë nuk kanë hartuar dhe zbatuar ende Plane të Integritetit, që parashikohet nga Strategjia Ndërsektoriale kundër Korrupsionit.
“Strategjia Ndërsektorale kundër Korrupsionit dhe Plani i Veprimit për zbatimin e tij parashikojnë miratimin dhe zbatimin e një Plani Integriteti nga çdo ministri. Sidoqoftë, këto plane nuk janë hartuar ende. GRECO bën thirrje për miratimin e tyre të shpejtë dhe për marrjen parasysh të rreziqeve specifike të integritetit me të cilat mund të përballen ministrat dhe këshilltarët e tyre politikë gjatë ushtrimit të detyrave të tyre”, vijon raporti.
“Një Kod Etik Ministror u miratua në vitin 2013, por GRECO dyshon nëse zbatohet në praktikë dhe nëse është funksional Komisioni i Etikës që parashikohet në Kod. Ai rekomandon adresimin e këtij boshllëku dhe kombinimin e masave që do të miratohen me veprimtari sistematike ndërgjegjësimi për çështje që lidhen me integritetin e të gjithë PTEF-të, përfshirë edhe këshilltarët politikë. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet në këtë kontekst rregullave të qarta pas periudhës së punësimit dhe zbatimit të tyre. Është krijuar kuadri i përgjithshëm për deklarimin e interesave private, rregullisht gjatë ushtrimit të funksioneve, si edhe rast pas rasti. Sidoqoftë, nuk ka raste të PTEF që kanë qenë të detyruar të tërhiqen nga një dosje ose diskutim specifik për shkak të një konflikti interesi ad hoc, i cili hedh dyshime mbi efikasitetin e sistemit në praktikë”, thuhet ndër të tjera.
Vlerësimi për Inspektoriatin e Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive
Po ashtu deklarohet se duhet të bëhet aktive sa më shpejt platforma elektronike sa i takon deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, për të cilat është përgjegjës ILDKPKI.
Për qëllim të efikasitetit, platforma elektronike për deklarimin dhe publikimin e këtyre deklarimeve duhet të bëhet funksionale sa më shpejt të jetë e mundur dhe ILDKPKI duhet të përmirësojë kapacitetin e tij monitorues dhe procedurat. Nga ana tjetër, çështjet që ILDKPKI dërgon në prokurori duhet të ndiqen si duhet. Kjo kërkon funksionimin efektiv të Prokurorit të Posaçëm kundër Korrupsionit (SPAK) dhe krijimin e bashkëpunimit efektiv me ILDKPKI.
Vlerësimi për Policinë e Shtetit
Për sa i përket Policisë së Shtetit, në vetingun e përkohshëm është shfaqur një shqetësim specifik. “Ka të ngjarë që si rezultat i tij të largohet nga forca policore një numër i konsiderueshëm i stafit të kualifikuar, duke e bërë të vështirë ushtrimin e funksioneve kryesore të policisë”, thuhet në raport.
Politizimi në Policinë Shqiptare është gjithashtu një çështje shqetësuese. “Për ta ulur nivelin e politizimit, duhet të merren masa që të rritet qëndrueshmëria e drejtuesve të lartë në pozicionet e tyre, pavarësisht nga ndryshimet politike në vend dhe që pozicionet e nivelit të mesëm drejtues 5 të emërohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe jo nga Ministri i Brendshëm. Rregullat e etikës duhet të plotësohen me udhëzime praktike, si dhe masa të ndërgjegjësimit, trajnimit dhe këshillimit – përfshirë mbrojtjen e sinjalizuesve, në mënyrë që të rritet besimi te sistemi”, thuhet në vlerësim