Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” historianin, përkthyesin dhe publicistin e shquar shijakas me origjinë malazeze, Nikolla Sudar.
Ky titull iu dha me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi ndaj kontributeve të çmuara të dhëna për hulumtimin, dokumentimin, studimin dhe botimin e vlerave të rralla të traditave të shquara të trevës së Shijakut, duke i shpalosura botërisht edhe me hapjen e Muzeut Historik të Shijakut. Me mirënjohje institucionale për veprimtarinë e spikatur si historian, publicist dhe përkthyes, i cili u ka dhuruar lexuesve shqiptarë, të përkthyera në gjuhën shqipe, vepra nga shkrimtarët e mëdhenj bashkëkohorë”.
Në fjalën përshëndetëse drejtuar të pranishmëve në ceremoninë solemne, Kreu i Shtetit u shpreh nder te tjera se “mirënjohja e zotit Petar Sudar ishte aq e madhe, sa ia shpërbleu këtë bujari dhe mikpritje popullit shqiptar, duke dalë partizan në moshën 60-vjeçare dhe duke luftuar për çlirimin e vendit tonë.
Zoti Nikolla u lind dhe u rrit me dashuri për vendin e tij të lindjes, për Shqipërinë dhe qytetin e tij Shijakun dhe gjatë gjithë jetës së tij ka punuar me përkushtim dhe mirënjohje.
Aktiviteti i tij rreth 55-vjeçar është i gjithanshëm, teksa pasioni i tij i madh, gjatë gjithë jetës, mbeti hulumtimi dhe nxjerrja në dritë e historikut të trevës së Shijakut, nga lashtësia deri në ditët e sotme.
Për më shumë se 14 vite, zoti Sudar u mor me grumbullimin e materialeve të shumta gojore dhe dokumentare, të cilat bashkë me materialet e Arkivit Qendror të Shtetit dhe të rrethit të Durrësit, do të shërbenin si boshti kryesor për ngritjen dhe funksionimin e muzeut historik të Shijakut.
Ky institucion kulturor, i pari i këtij lloji në Shijak, përgjatë 20 viteve të ekzistencës së tij, bëri punë të jashtëzakonshme hulumtuese dhe evidentuese për njohjen e traditave më të mira të trevës së Shijakut.
Vetë kreshniku i maleve, Bajram Curri, rreth 100 vjet më parë, ndërsa ishte i ngarkuar në zonën e Durrësit, për të evidentuar e eliminuar elementët esadistë, është shprehur për këtë trevë: ‘Shijaku me plot kuptimin e fjalës mund të quhet Malësia e Madhe e Shqipërisë së Mesme’.
Përkushtimi i zotit Sudar për vendlindjen e tij, Shijakun, vazhdoi edhe pas daljes së tij në pension në vitin 1997, në një moment të vështirë për vendin, kur me kujdesin e tij arriti të shpëtonte trashëgiminë historike të grumbulluar për dekada me radhë në muze.
Tashmë, zoti Sudar është larguar prej vitesh nga vendlindja, por nuk i ka shkëputur kurrë lidhjet me të, duke vazhduar të botojë artikuj studimorë, kryesisht për Shijakun.
Si përkthyes, zoti Sudar i ka sjellë gjuhës shqipe vepra të kalibrit ndërkombëtar dhe zëra të njohur të letërsisë botërore.
Për gjithë kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në hulumtimin dhe botimin e vlerave dhe traditave të shquara të trevës së Shijakut, por edhe si publicist e përkthyes, kam kënaqësinë të vlerësoj zotin Nikolla Sudar me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.
Urime dhe sa më shumë vepra të reja dhe të suksesshme në të ardhmen.”