Nis konfiskimi i pasurive të shqiptarëve në botë për llogari të biznesmenit italian, Françesko Beketi. Sipas gazetës së njohur belge, ‘L’Echo’, avokatët e biznesmenit italian ia kanë dalë të konfiskojnë pasurinë e Shqipërisë në kompaninë Eurocontrol.
Gazeta e nis shkrimin duke shpjeguar se gjithçka nisi në vitin 2013, kur kryeministri Edi Rama anuloi dy koncesione të biznesmenit dhe mbylli televizionin e tij, Agon Channel.
Biznesmeni italian e hodhi Shqipërinë në gjyq në arbitrazh dhe fitoi një dëmshpërblim prej 107 milionë eurosh.
Shqipëria nuk ka pranuar të paguajë këtë shumë. Për këtë arsye ka nisur sekuestrimi i pasurive shqiptare në botë.
Në Belgjikë, Beketi ka marrë dritën jeshile për të konfiskuar paratë e Shqipërisë në kompaninë e madhe europiane, Eurocontrol.
Shqipëria është një nga 41 vendet anëtare të Eurocontrol, një institucion evropian përgjegjës për mbledhjen mes të tjerash të pagesave nga linjat ajrore që fluturojnë në territore të ndryshmë. Këto shuma më pas u rishpërndahen shteteve anëtare sipas përllogaritjeve. Pikërisht këto shuma janë sekuestruar.
Në dhjetor janë sekuestruar 170 mijë euro, që nuk është një shumë e madhe për shkak se kriza e pandemisë ka reduktuar fluturimet.
Por avokati i Beketit tha se në një rast, Rumanisë i janë sekuestruar mbi 11 milionë euro nga Eurocontrol. Me shtimin e fluturimeve, shuma e konfiskuar do të rritet