Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi reagon pas largimit të Nasip Naços drejt PS-së, njëkohësisht edhe për videon e publikuar prej saj me mesazhin e Edi Ramës dhe Lefter Kokës për Naçon.
Në video shfaqet kryeministri Edi Rama, ish-ministri i LSI, Lefter Koka dhe Damian Gjiknuri. Por janë Rama dhe Koka ata që i dërgojnë një video-mesazh Nasip Naços, duke e ftuar t’iu bashkohet për “të pirë një gotë verë”.
Kryemadhi thotë se këtë video e ka disponuar prej dy muajsh, madje paralajmëron se në telefonin e saj ka “edhe shumë video të tjera”. Kryetarja e LSI-së nuk kursen as ironinë, teksa thotë se “inceneratorët kanë nevojë për lëndë të parë”.
"Kjo video ekziston në telefonin e Monikës prej dy muajsh, dhe shumë video të tjera, prandaj është LSI e të rinjve dhe të rejave, ose inceneratorët kanë nevojë për lëndë të parë. Djegie të mbarë!”, shprehet Kryemadhi, raporton Newsbomb.al.
“Po ku je mo Nasip, ku je mo burrë. Mirë mo vëlla kaq partiak je ti sa as për të pirë një gotë verë nuk vjen? Po ti je dhe qytetar mo vëlla. E pi njeriu një gotë verë, apo ke hall se të shpalli armik”, dëgjohet të thotë Rama në video.
Ndërsa Lefter Koka thotë se “(Nasipin) më shumë e ka vrarë Lona, i kanë thënë do vënë Elona Gurin para këtij, ky dy metra burrë”.