Koncesioni 30 mln € për kalatën e Portit të Durrësit, Tabaku: Shumë kompani mbetën jashtë garës, maltezen fillimisht e s’kualifikuan, por…

E Enjte, 07 Janar 2021 14:53

 

Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku e ftuar në rubrikën ‘’Opinion’’ në News24 ka folur për koncesionin 30 milionë euro të kalatës 6 në Portin e Durrësit për përpunimin e konteinerëve që qeveria ia ka dhënë kompanisë malteze ‘’Hili Company Limited” e denoncuar si e përfshirë në skandalin e ‘’Panama Papers’’.

Tabaku thotë se për këtë koncesion PD akuzon qeverinë sepse procedura ka qenë korruptive, s’ka pasur konkurrencë dhe kompania malteze është offshore.

 

Ajo thekson se nga gara për shkak të procedurës janë lënë jashtë shumë kompani pasi nuk u respektua afati 52 ditor, ndërkaq nga ana tjetër mes kompanisë gjermane dhe malteze, qeveria zgjodhi të dytën edhe pse fillimisht i skualifikoi.

Tabaku shpjegon se kompania malteze në fjalë fillimisht u skualifikua, por më pas u rifut në garë nga Porti i Durrësit. Ditën e djeshme ish-deputetja i drejtoi disa pyetje qeverisë duke nisur nga pronarët e kompanisë në fjalë të cilët ende nuk dihen se kush janë, por s’ka marrë ende përgjigje.

 

 

”Ne e kishim denoncuar këtë aferë korruptive dy muaj më parë, në tetor. Një prej kalatave ishte dhënë me koncesion një kompanie, u detyrua të largohet nga presioni i qeverisë. Hapi një tender ndërkombëtar, që duhet të ishte 52 ditë afat, la vetëm 32 ditë.

Qeveria nuk shkoi tek kompania gjermane, por tek kjo tjetra. Kompania do të marrë nga buxhet i portit të Durrësit thuajse 6 mln euro në vit, pa bërë asnjë investim.

Nga ana tjetër kjo kompani ka qenë pjesë e skandalit të Panama Papers, një prej drejtuesve është hetuar për pastrim parash.

 

Ka shumë pikëpyetje, qeveria duhet të japë përgjigje. Kur në Shqipëri ka hyrë në 1 janar ligji që asnjë kompani offshore. Pse mos kemi investitorë gjermanë, italianë e amerikanë teksa shkojmë për një kompani jo të njohur.

 

Qëllimisht nuk u bë njoftimi ndërkombëtar siç duhej bërë, do bëjmë me dije fakte të reja ditët në vijim.

Faktet janë publike, kushdo me një google search tregon dhe vërteton që kompania është i regjistruar në një vend si parajsë fiskale, pronarët nuk janë të identifikuar. Shumë e vështirë të kuptosh kush janë investitorët. Nesër do publikojmë fakte për procedurën e konkurrimit. Në fakt kompania ishte skualifikuar, dhe është pranuar në garë sërish me një vendim abuziv të Portit.

Do publikojmë dokumenta shtesë. Duhet të kishte tender ndërkombëtar, nuk u bë siç parashikohet në legjislacion. Duhet të kishte një njoftim ndërkombëtar. Jashtë garës mbetën shumë kompani. Kompania gjerman dhe malteze u skualifikuan, por kjo e fundit u pranua. Me një grup pune ekstraligjore nga Porti i Durrësit.

Shqetësimi është se po ndodh pikërisht kjo që procedura e konkursit lë jashtë kompani prestigjioze.

S’kemi marrë asnjë përgjigje nga qeveria. Kemi arritur në një nivel që , ky është një gabim i qëllimte korruptiv. Ka ndodhur me vullnet të plotë politik.

 

Ka shumë mënyra si mund të menaxhohet. Të jemi të qartë që unë nuk po, PD nuk po denoncon faktin që po bëhet një procedurë, aq më mirë kur ekziston se mund ta jepnin edhe pa procedurë. Ne denoncojmë tarifën e lartë, s’ka pasur konkurrencë, është procedurë korruptive etj.

Ka shumë gjëra të pakuptimta që bën kjo qeveri. Po shohim koncesione me vlera stratosferike. Buxheti i shtetit po vendoset në një risk fiskal të jashtëzakonshëm, jo vetëm prej konktratave, sepse po paguajmë dy herë për këto kontrata.”- tha Tabaku

Login to post comments