Shirat e rrëmbyer në Gjirokastër/ Vangjel Tavo: Situata e rënduar nga përmbytjet, rrëshqitja e dherave rrezikon banorët

Premte, 08 Janar 2021 18:21

 

Ish-deputeti i LSI-së Vangjel Tavo, me anë të një statusi në “Facebook” ka reaguar për shirat e rrëmbyer që kanë rënë në qarkun e Gjirokastrës.

Tavo thekson se si pasojë e situatës së rënduar nga përmbytjet, rrëshqitja e dherave rrezikon edhe jetën e banorëve.

Postimi i ish-deputetit të LSI-së Vangjel Tavo:

Situatë e rënduar nga përmbytjet në qarkun e Gjirokastrës.

 

Situatë e përkeqësuar në Luginën e Drinos. Është përmbytur fusha sportive Lefter Millo në Dervican dhe përgjatë aksit rrugor Gjirokastër-Kakavijë ka përmbytje në fusha duke rrezikuar tokat bujqësore dhe bizneset që operojnë aty pranë.

Shqetësim edhe rrëshkitja e dherave në Gjirokastër duke rrezikuar edhe banorë.

Gjithashtu prej më shumë se 12 orësh rruga e fshatit Zhulat është përmbytur dhe për pasojë kanë mbetur të izoluar 80 familje.

Është shtuar prurja e lumit Vjosë ujërat e të cilit janë vërshuar ndjeshëm në zonat e Urës së Ali Pashait pranë fshatit Becisht si dhe të asaj të Leklit ku lumi Vjosë bashkohet me lumin Drino. Këto kanë sjellë dhe daljen e lumit nga shtrati duke shkaktuar përmbytje dhe dëmtime te tokat e bujqesore të zonës.

 

Viroi ka dalë nga shtrati duke rrezikuar aksin nacional Gjirokastër – Tepelenë.

 

Probleme edhe në aksin Gjirokastër – Lunxhëri.

 

U bëj thirrje autoriteteve të marrin masa të menjëhershme, të jenë në gatishmëri dhe të përdorin të gjitha kapacitet për të ndihmuar këto zona.

E papranueshme që “rilindja” e braktisi Gjirokastrën, dikur zemra e jugut të vendit, duke e konsideruar thjesht një xhep gjeografik dhe një zonë jashtë vëmendjes për investime.

VT

Login to post comments