Drejtuesja e LSI për Durrësin, Elona Guri, një prej njerëzve më të besuar të kryetares Monika Kryemadhi, ka shkuar sot në Berat, aty ku ditët e fundit kësaj partie i iku një zë i rëndësishëm, ish-ministri Nasip Naço.
E përmendur në videon e Ramës me Lefter Kokën, ku i bëjnë thirrje Nasip Naços që t’i thërrasë për “ndonjë gotë verë”, Elona Guri ka zbritur vetë në Berat si për të sfiduar ish-ministrin e LSI që iu bashkua Partisë Socialiste.
“Në Berat së bashku me Ardit Çelën, drejtuesin politik të LSI për Qarkun e Beratit, doktor Blenard Nonaj dhe Silva Cakën”, shkruan Elona Guri, teksa ndan një foto me personat e sipërpërmendur, dhe thkson se rrugën e LSI për ndryshimin e Shqipërisë nuk e pengojnë dot “pleqtë” politikë pa asnjë ideal.
Shkruan Elona Guri:
Në Berat së bashku me Ardit Çelën, drejtuesin politik të LSI për Qarkun e Beratit, doktor Blenard Nonaj dhe Silva Cakën.
Jam mes njê ekipi profesionistësh të rritur në LRI së bashku. Në LSI për të vijuar rrugën tonë për ndryshimin e Shqipërisë, për të bërë realitet aspiratën e çdo të riu, integrimin e Shqipërisë në BE.
Jemi bashkë për të bërë të mundur fitoren e madhe të 25 prillit.
Fitoren e Rinisë mbi llumin politik të nënshtrimit, fitoren e idealit të një Shqipërie që është shtëpi për çdo shqiptar mbi pazaret e pista ku çdo njeri është kthyer në “mall”, i cili e ka datën e skadencës në 25 prill.
Jam e lumtur të jem me Arditin dhe Blenardin dy ish studente të shkëlqyer, profesionistë të aftë dhe menaxherë që kanë dhënë kontributin e tyre duke ndryshuar rrënjësisht institucionet ku kanë drejtuar.
Rrugën tonë të ndryshimit dhe integrimit nuk mund ta pengojnë dot as “të fortët”, as të shiturit dhe as të blerët, aq më shumë të lodhurit dhe “pleqtë” politikë pa asnjë ideal.
Jemi së bashku me çdo të ri, profesionist, grua, burrë, me çdo biznesmen të ndershëm që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Berat, në të gjithë Shqipërinë!
Jemi bashkë për të bërë të mundur çlirimin e tregut nga monopolet dhe PPP, jemi bashkë për fermerët që të kenë mundësi tregu dhe prodhimet e tyre, mundi dhe djersa e tyre të kthehet në vlerë dhe jo të derdhet kanaleve dhe të kalbet fushave.
Jemi bashkë për Shqipërinë!