LSI: Në darkën e ministrave në Dubai po hanin, shqyenin dhe shitej SHQIPËRIA

Tuesday, 12 Janar 2021 10:27

 

-Marrëveshja e Edi Ramës me Emiratet e Bashkuara Arabe parashikon dhënien e Portit të Durrësit, por edhe zonat turistike në Vlorë, Sarandë, Ksamil e Përmet për llogari të investitorëve arabë. Gjithçka do jepet pa garë, pa tender dhe në shkelje të gjithë procedurave ligjore. Nënkryetari i LSI-së, Vasili: SPAK të hetojë marrëveshjen korruptive.

Darka e ministrave Arben Ahmetaj dhe Belinda Balluku në restorantin më të shtrenjtë në Dubai, ku vetëm një biftek kushton 1 milionë lekë, është vetëm maja e ajsbergut të një skandali më përmasa kombëtare dhe që cenon interesat strategjike të Shqipërisë. Nëse avokatëve politikë dhe mediatikë të qeverisë nuk u bën përshtypje që një ministër ha në një restorant ku kushton mbi 1 mijë euro një pjatë, arsyeja e vizitës së delegacionit shqiptar në Emiratet e Bashkuara Arabe duhet të vërë në lëvizje shoqërinë dhe institucionet. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka publikuar dje dokumente të miratuara nga qeveria dhe parlamenti shqiptar me Emiratet e Bashkuara Arabe. Këto dokumente flasin për një marrëveshje që i jep vetëm një investitori privat nga Emiratet Arabe pasuri kombëtare, pa asnjë garë, pa asnjë procedurë ligjore dhe pa lejuar as kontrollin mbi këto investime. Në një deklaratë për mediat, Vasili tha se qeveria i ka dhënë hapësira tokësore, detare turistike një vendi tjetër duke shkelur të gjitha ligjet e shtetit shqiptar. “Në atë darkë ishin 3 projekte, pikërisht pjesë e kësaj marrëveshjeje: rizhvillimi i Portit të Durrësit, mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, bujqësisë dhe logjistikës së Vlorës, Sarandës, Ksamilit dhe e treta investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit. Të gjithë këto zona me një potencial të jashtëzakonshëm turistik janë tashmë objekt ndarjeje e shitjeje, pa asnjë konkurrim e asgjë, dhurata reciproke që Shqipëria i bën kujt i intereson”,- deklaroi Petrit Vasili.

 

Në marrëveshjen e miratuar nga Parlamenti dhe qeveria e Edi Ramës thuhet se të gjitha këto projekte, kontratat dhe gjithëçka në këtë marrëveshje nuk do t’i nënshtrohen asnjëherë prokurimit publik, procedurës konkuruese publike apo procedurave të tjera të ligjeve të Shqipërisë. Qeveria “Rama” ka ndryshuar një marrëveshje të firmosur para vitit 2013 dhe ka hequr prej saj detyrimin që palët të zbatonin ligjet e Shqipërisë. Petrit Vasili thotë një shkelje e tillë e ligjeve kombëtare nuk është kryer asnjëherë më parë. “Ky është akti më i rëndë në marrëveshjet që mund të bënte Shqipëria dhe shkeljen më skandaloze të ligjit që ajo mund të bënte dhe që një qeveri shqiptare mund të ketë bërë në këto 109 vjet shtet të pavarur shqiptar”,- thotë nënkryetari i LSI.

Vasili shtoi se procedura e ndjekur në marrëveshjen që ka firmosur qeveria “Rama” dhe ka miratuar Parlamenti duhet të hetohet. “SPAK sot duhet të jetë në alert më shumë se kurrë. Asnjë deklaratë mbështetjeje për SPAK, në shqip apo në anglisht nuk ka asnjë vlerë në rast se ai nuk lëviz, nuk aktivizohet dhe nuk ngrihet në këmbë për të goditur këto paligjshmëri të cilat ulërasin e të cilat kërkojnë përgjigje. Po shqyhet Shqipëria, prona e saj publike, interesat e saj ditën për diell. SPAK ose vepron sot ose nesër do të jetë patjetër në bankë e të akuzuarit, së bashku me të gjithë këta që kanë kryer akte shumë të rënda dhe të cilat më e pakta do të ishte që të ishin përpara drejtësisë dhe mbrapa hekurave”,- deklaroi nënkryetari i LSI.

Qeveria thotë se projektet e biznesmenëve nga Dubai do të sjellin në Shqipëri mbi 2 miliardë euro investime. Kryeministri Edi Rama është investuar personalisht në këto projekte dhe ka vizituar disa herë Dubain. Prania e madhe e zyrtarëve shqiptarë këtë javë në Emiratet Arabe ishte pikërisht për pikat e zbatimit të këtij projekti. Shifra 2 miliardë euro që do të vijnë nga biznesmenët e Emirateve duket joshëse për çdo qeveri dhe shihet si zhvillim për vendin. Askush nuk është kundër investime që zhvillojnë vendin, por problemi është se asgjë dhe asnjë projekt nuk mund të bëhet pa ligj dhe pa transparencë. Heqja e gjithë detyrimeve për biznesin privat që do investojë në Shqipëri shkel ligjet vendase, por krijon dhe probleme me bizneset e tjera të huaja. Sepse nuk mund të heqësh “traun” e doganës për çdo projekt që vjen nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe të masakrosh me gjoba dhe procedura bizneset nga vendet e BE dhe SHBA. Procedura të tillë zbatohen vetëm kur vetë qeveritarët kanë interesa direkte personale në investimet e huaja që bëhen në vend në vend. Për këto arsye procedura e ndjekur nga qeveria “Rama” duhet të hetohet. Ndërkohë PD është shprehur se do prishi marrëveshjen sapo të vijë në pushtet, pasi do kërkojë të respektohen ligjet shqiptare dhe natyrisht ato ndërkombëtare.

SPAK-u po të ketë kurajo ka shumë punë në këtë rast për hetime dhe arrestime

Login to post comments