Prej dy ditësh qeveria hesht kur pyetet se nga cili vend i ka marrë vaksinat anti-covid. Ambasada gjermane nuk pohon dhe as nuk mohon dërgesën e vaksinave për Shqipërinë, dozat e së cilës mbërritën më 11 janar në vendin tonë nëpërmjet aeroportit të Rinasit. Të pyetur nga “Panorama”, ambasada thekson se Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë në përballimin e pandemisë së Covid-19 e angazhuar dhe në mënyra të ndryshme. Më tej thuhet se Shqipëria po mbështetet me një paketë prej 10 milionë eurosh.
“Ambasada nuk disponon deri tani informacione të mëtejshme në lidhje me vaksinën e dërguar më 11 janar 2021. Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë në përballimin e pandemisë së Covid-19 e angazhuar dhe në mënyra të ndryshme. Kjo ka ndodhur (dhe po ndodh ende) përmes dhurimeve materiale dhe trajnimeve në fushën mjekësore, ndihmës së drejtpërdrejtë për shtresat në nevojë te popullatës dhe përmes një pakete prej më shumë se 10 milionë eurosh, ndër të tjera për këshillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për riorganizimin përgjatë krizës si dhe financimin shtesë te Rural Credit Guarantee Foundation”, thuhet në reagimin e ambasadës.