Kryemadhi: Shqipëria sot nuk ka nevojë për fjalë të bukura dhe fasadë, duhen ide

E mërkurë, 13 Janar 2021 19:17

 

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me banorët e lagjes “Ali Demi” në Tiranë. Në fjalën e saj, Kryemadhi u shpreh se problemi kryesor për të cilin qytetarët ankohen më shpesh është mungesa e punësimit.

“Në një takim me kryefamiljarë, një nga problemet më të mëdha që thonin ishte mungesa e asaj që e dëgjon kudo, në çdo cep të Tiranës, në çdo cep të Shqipërisë, mungesa e punësimit, mungesa e mundësive për të zhvilluar biznesin, ekonominë. Ajo që ishte më e dhimbshme ishte që fëmijët i kishin studentë nëpër shkolla dhe e vetmja gjë që kishin si shpresë ishte largimi i tyre nga Shqipëria, ndërkohë që pandemia ka dhënë goditjen e vet. Në fakt unë ju falënderoj shumë për këtë ftesë dhe bashkëbisedim, në zonën e Ali Demit, që edhe pse çdo gjë ndryshon, vetëm kjo pjesë nuk ndryshon, që kanë atë tradicionalitetin e vet dhe identiteti i tyre nuk ka ndryshuar. Breza të shumtë kanë ikur e kanë ardhur, por kjo zonë ka pasur qëndresën e vet”,- deklaroi kryetarja e LSI.

 

Duke folur për kandidatët për deputetë, Kryemadhi u shpreh se njerëzit nuk duan më fasadë dhe fjalë të bukura, por ide. “Ne jemi sot këtu së bashku me Erisën, me doktor Etjonin. Doktor Etjonin e kemi pak si pikë të dobët, në kuptimin e mirë të fjalës, sepse përveç se është doktor është edhe socialist, si puna ime, i vjetër, por mesa duket jemi bërë socialistë të rinj pranë LSI-së. Unë e kam ftuar doktor Etjonin që të kandidojë në listën tonë për deputetë në Tiranë, sepse me thënë të drejtën ne kemi nevojë për të hapur partinë dhe jo vetëm, me njerëz që kanë vlera. Sot më shumë se kurrë Shqipëria nuk ka nevojë për fjalë të bukura, propagandë dhe fasadë, sot Shqipëria ka nevojë për realitet, për njerëz që janë jo vetëm vendimmarrës, por kanë edhe ide për t’i realizuar”,- deklaroi kryetarja e LSI.

Modifikuar më E mërkurë, 13 Janar 2021 20:32
Login to post comments