Këshilltari Ligjor pranë Presidentit të Republikës, Bledar Dervishaj jep alarmin se ajo çfarë po ndodh me hartimin e ligjeve të këqija dhe klienteliste nga ana e Qeverisë, po dëmton të gjithë legjislacionin në përgjithësi në vendin tonë.
Në një koment të tijin përmes rrjeteve sociale, Dervishaj vlerëson se nëse për 3 vjet ligjet u bënë si mos më keq, do duhen dy a tre fish i kohës për ta ristabilizuar dhe harmonizuar sërish korpusin legjislativ.
Reagimi i Këshilltarit Ligjore në Presidencë, Bledar Dervishaj
Ligjet janë akte juridike me karakter të përgjithshëm që përcaktojnë sjelljen e shtetasve dhe të organeve shtetërore.
Çfarë rezultati kemi kur shpërdorohet e drejta për të propozuar e miratuar ligje, apo kur ligjbërësi funksionon në mungesë totale të kontrollit të brendshëm dhe atij kushtetues?
Praktikisht rezultati është ky:
E zeza, me ligj mund të quhet edhe e bardhë;
Organet e administratës humbasin kontrollin, sepse një ligj i ri e mundëson;
Krijohen hapësira interpretimi, për ta sfilitur shumicën e shoqërisë, që pakicat të shlodhen më shumë;
Krijohet kaos në legjislacion, ligjet përplasen me njëra-tjetrën;
Sjellja e shoqërisë keq-orientohet drejt anti-vlerave;
Modeli i të bashkëjetesës në komunitet dëmtohet;
Ligji humbet karakterin e përgjithshëm dhe pakicat kërkojnë gjithmonë e më shumë të kenë ligjin e tyre;
Ajo që deri dje ishte e padrejtë dhe e pandershme, mund të vlerësohet e ligjshme, por vetëm për disa;
Një grusht njerëzish udhëheqin shumicat në interesin e tyre personal.
Kjo po ndodh për 3 vite me radhë në vendin tonë.
Nëse për 3 vjet ligjet u bënë si mos më keq, do duhen dy a tre fish i kohës për ta ristabilizuar dhe harmonizuar sërish korpusin legjislativ.