Mbi 90% e studentëve shqiptarë kërkojnë të largohen nga Shqipëria menjëherë sapo përfundojnë studimet.
Sipas një studimi të Qendrës së Studimeve Ekonomike dhe Shoqërore të bërë në vitin 2019 dhe të prezantuar dje në një aktivitet të organizuar nga Presidenti Ilir Meta, të rinjtë që kërkojnë më shumë të largohen nga vendi i tyre menjëherë sapo mbaron studimet janë ata që përfundojnë arsimimin për mjekësi, arte, stomatologji, arkitekturë, infermieri etj.
Sipas anketës së bërë, kategoria e studentëve me përqindjen më të ulët që kërkon të largohet nga vendi ynë menjëherë sapo përfundon paketën e studimeve janë ata të pedagogjisë me mbi 60%, ndërsa studentët që kanë përqindjen më të lartë të planit për të ikur janë ata të mjekësisë, infermierisë, stomatologjisë etj. me mbi 90%.
Nëse do të lexojmë tabelën e mësipërme të pasqyruar nga Qendra e Studimeve Ekonomike dhe Shoqërore me shifra dhe përqindjet, konstatojmë se në momentin që Kryeministri aktual Edi Rama ka ardhur në pushtet këta të rinj që pasi përfundojnë studimet kërkojnë të largohen, sapo kanë nisur mësimet në shkollën e mesme, ndërsa një pjesë tjetër kanë hyrë në universitet. Ndonëse më të rriturit kanë preferenca politike, pasi e lidhin forcën politike me forcën e punës Largimi i kësaj kategorie të shoqërisë pasqyron faktin se politikat e ndjekura nga kjo qeveri nuk u japin shpresë të rinjve të zhveshur nga flamuri partiak.
LARGIMI I INTELEKTUALËVE
Të dhënat e nxjerra nga anketimi i bërë nga Qendra e Studimeve Ekonomike dhe Shoqërore në viti 2018 krahasohen me vitin 2007. Sipas tabelës numër 7 të studimit, në vitin 2018 kanë filluar të largohen nga Shqipëria, pra të emigrojnë, ata të cilët kanë nivelin më të lartë të studimeve dhe ka rënë përqindja e emigrimit të shqiptarëve të cilët nuk kanë kryer shkollim.
Në vitin 2007 mbi 70% e emigrantëve potencialë ishin ata të cilët nuk kishin ndjekur arsimimin, ndërsa ata të cilët kanë ndjekur arsimin kanë qenë thuajse nën 10%. Në vitin 2018 numri më i lartë i atyre që largohen nga Shqipëria janë ata me universitet apo me arsimim të mesëm dhe me arsimim profesional, me mbi 60% e të rinjve. Ndërsa e kundërta ka ndodhur në vitin 2007, ku përqindja më e lartë e atyre që largoheshin ishin ata me arsim të ulët.
Ndërkohë, në fjalën e tij, drejtori i Qendrës së Studimeve Ekonomike dhe Shoqërore, Ilir Gëdeshi, ngriti shqetësimin se Shqipëria po përjeton hemorragji të trurit. “Vërehet me shqetësim që jashtë vendit po ikin fëmijët e elitës intelektuale të vendit. Problematik është fakti që 94% e tyre nuk dëshiron të kthehet në Shqipëri. Kjo është një humbje e madhe për vendin, sepse kapitali më i kualifikuar human, elita e studentëve shqiptarë nuk duan të kontribuojnë më në Shqipëri.
Po rritet shumë shpejt migrimi i mjekëve shqiptarë drejt Gjermanisë. Numër i mjekëve për 100 mijë banorë do të vijë duke u ulur, duke shkaktuar probleme me popullatën sa i përket shërbimit shëndetësor. Kjo do të provokojë largime të tjera të popullatës në mungesë të një shërbimi mjekësor cilësor”, tha Gëdeshi.
Ndërkohë ishdrejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, ka publikuar shifra alarmante sa i përket emigracionit në Shqipëri. Në aktivitetin e organizuar nga Presidenti Ilir Meta për fenomenin e shpopullimit, Ines Nurja tha se për vitin 2019 Shqipëria zë vendin e parë, duke kaluar edhe Sirinë sa u përket kërkesave për azil ekonomik.
“Shqipëria zë vendin e parë, madje ka kaluar edhe Sirinë dhe Irakun për njerëzit që kërkojnë azil ekonomik. Pra, janë 85 persona për 10 mijë banorë që kërkojnë azil ekonomik vetëm për 2019-ën. Pra, Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të azilantëve për popullsi”, tha Nurja.
Një shqetësim tjetër që ngriti doktoreshë Nurja është edhe fakti i qëndrimit ilegal në vendet e BE-së, ku Shqipëri sërish zë vendin e parë.
“E njëjta gjë është parë edhe për qëndrimet ilegale. Shifrat janë tepër alarmante. Jo vetëm që jemi vendi i parë, por me një ndryshim shumë të madh nga vendet e tjera. Shqipëria ka 130 persona për 10 mijë banorë që rrinë në mënyrë ilegalë”, tha Nurja.
“Të pashpresë dhe të vjedhur”, Meta zbulon arsyet e emigrimit
Presidenti Ilir Meta deklaroi dje se asgjë nuk i justifikon shifrat e larta të emigrimit dhe se shpopullimi është një problem kombëtar që duhet të bashkojë institucionet dhe qytetarët.
Gjatë fjalës së tij, në një videokonferencë me profesorë dhe ekspertë për fenomenin e shpopullimit, teksa e sheh si shqetësim të përbashkët, Meta tha se shqiptarët ndihen të vjedhur dhe të pashpresë për të ardhmen. Kreu i shtetit tha se arsyet që i kanë nxitur shqiptarët të largohen nga vendi gjatë këtyre 30 viteve tranzicioni kanë qenë të shumta, por shifrat shumë të larta veçanërisht gjatë viteve të fundit kanë krijuar një përkeqësim të situatës dhe kërcënim të perspektivës së vendit në aspektin ekonomik dhe social.
“Shqipëria po përjeton një ‘erozion’ të vërtetë demografik, referuar statistikave tepër alarmuese për një shoqëri, për një shtet dhe për një komb. Kjo për faktin se nga vendi nuk largohen vetëm ata të cilët nuk kanë punë, por edhe ata që kanë një pagë në nivele të kënaqshme, një arsim dhe kualifikim cilësor. Sipas ekspertëve dhe konkluzioneve tuaja, shkak për këtë është bërë pasiguria, pra mungesa e besimit, për një të ardhme më të mirë dhe të qëndrueshme në vend”, tha Meta.
Presidenti thotë se “e shoh si tepër shqetësues intensifikimin e fenomenit të ‘largimit të trurit’ duke zënë një ndër vendet e para në botë”.
Duke iu referuar të dhënave të publikuara nga ekspertët dhe panelistët referues, Meta tha se “në këtë drejtim është e qartë se Shqipëria në çdo aspekt, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, ka nivelin më të lartë të shpopullimit për shkak se rezulton vendi me më shumë probleme që e nxitin këtë fenomen, si sa i takon situatës ekonomike, rritjes së borxhit, rritjes së kostove, mungesës së rritjes reale të pagave e pensioneve, mungesës së vendeve të punës, projektet e dyshimta dhe abuzive të PPP-ve, që të gjitha së bashku kanë ndikuar në rritjen e varfërisë dhe dobësimit të shtresës së mesme”.
Sipas kreut të shtetit, nga arsyet kryesore që ka nxitur shqiptarët, veçanërisht të rinjtë, të largohen nga vendi është pasiguria për të ardhmen, mungesa mbështetjes dhe ekonomia e dobët.
“Disa statistika e bëjnë të pamundur që të jemi optimistë në një plan afatshkurtër. Këtë e përforcon fakti se 94% e të rinjve që studiojnë jashtë vendit nuk dëshirojnë të kthehen. Akoma më keq, gati 80% e atyre që studiojnë në universitetet tona, dëshirojnë të largohen, veçanërisht ata që studiojnë për fusha jetike, si shëndetësia, ku trendi është edhe më i lartë. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe të paktën 50 mijë qytetarë kanë humbur vendet e tyre të punës”, tha Meta teksa kërkoi bashkimin e të gjithëve për të ndaluar shpopullimin.
Më i ashpër në qëndrimin e tij mbi shpopullimin ka qenë prof. Sherif Bundo kur tha se “t’i vrasësh rinisë shpresën, njësoj si t’i dëbosh me forcë, si Millosheviçi shqiptarët nga Kosova”.
Në fjalën e tij ai theksoi se “shpopullimi është një temë shqetësuese që duhet të bashkojë të gjithë faktorët politikë, institucionet dhe shoqërinë. Kush nuk mendon për të frenuar këtë fatkeqësi kombëtare, nuk u shërben interesave kombëtare”. Si një njohës i mirë i ekonomisë, Bundo tha se ekonomia është një nga faktorët kryesorë që po nxisin largimin e shqiptarëve dhe të të rinjve.
“Po largohet nga Shqipëria grupmosha më energjike dhe më e kualifikuar, tregues tepër tronditës. Nevojiten strategji të mirëfillta për të menaxhuar varfërinë dhe për ta reduktuar këtë fenomen. Thellimi i varfërisë, veçanërisht në dy vitet e fundit, është përkeqësuar dhe kjo është një nga arsyet kryesore të shpopullimit. Duke e vënë gishtin mbi qeverinë që nuk po motivon rininë të ketë guximin ta ndërtojë jetën në vendin e tyre, Bundo u shpreh se “roli kryesor në menaxhimin e kësaj fatkeqësie kombëtare i takon qeverisë, që nuk po tregon vullnetin e duhur dhe vizionin për ta frenuar”