Dosja 184 e Dibrës/ Shtyhet për në datën 29 janar seanca për 4 të pandehurit. PD kërkesë për t’u njohur me detajet e çështjes

Premte, 15 Janar 2021 11:03

Eshtë shtyrë për në datën 29 janar 2021, seanca në ngarkim të 4 të akuzuarve për dosjen e bujshme “184”. Katër të pandehurit akuzohen për shit-blerje të votave. Në mesin e të pandehurve ka edhe ish-zyrtarë të lartë në Dibër, të dyshuar të përfshirë në vjedhjen e votave për zgjedhjet lokale të vitit 2016.

Në seancën e sotme nuk kanë qenë të pranishëm të gjitha palët. Partia Demokratike ka bërë kërksë pranë Gjykatës së Dibrës, që të njihet me dosjet. U shqyrtua kërkesa e PD-së për faktin se janë pushuar hetimet për disa persona.

09:44 – Sot pritet të nisë seanca e parë gjyqësore për “Dosjen 184” në Dibër. Prokuroria e Dibrës përfundoi hetimet për dosjen e bujshme 184 dhe dorëzoi në gjykatë katër të pandehur për shpërdorim detyrë dhe kanosje të zgjedhësve.

Listën e të pandehurve e kryeson Robert Aga, ish shef komisiariati i cili akuzohet për shpërdorim detyre, pasi me dashje dhe në kundërshtim me ligjin ka vënë uniformat blu në funksion të një subjekti politik, në rastin konkret maxhoranxës socialiste.

Drini Gjeci ish drejtor i Arsimit, do të përgjigjet para drejtësisë për shpërdorim detyre, pasi kanoste mësuesit se nëse nuk votonin në favor të kandidatit të mbështetur nga maxhorancxa, do t’i largonte nga detyra. Madje në një rast, sipas asaj që thuhet në dosje ai ka firmosur për shkarkimin e një mësuesi nga puna.

Nuri Meda, administrator i Njësisë Administrative Tomin akuzohet për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve. Në kundërshtim me ligjin ai ka dëmtuar interesat e qytetarëve, pasi ka përjashtuar 39 familje nga skema e ndihmës ekonomike, vetëm për shkak të bindjeve politike, pa verifikuar nëse i plotësonin ose jo kriteret për të qenë pjesë e skemës.

 

Edhe Hasan Hoti nga njësia administrative Lurë akuzohet se ka kanosur zgjedhësit me qëllim që të votonin për kandidatinpër kryebashkiak i Aleancës për Shqipërinë Europiane

Prokuroria thekson në dosje se disa nga personat nën hetim, zyrtarë apo ish zyrtarë si dhe biznesmenë e kanë konsumuar veprën penale të shitblerjes së votës, por nuk mund të merren në përgjegjësi ligjore, përderisa vepra penale është parashkruar.

Këtë vepër penale sipas prokurorisë e kanë kryer, Imer Lala, Robert Aga, Arben Keshi, Drini Gjeci,Afrim Mikli apo Bekim Krashi, porse për arsye proceduriale ata shpëtojnë nga ndëshkimi.

Për shitblerje vote u kallëzua edhe Damian Gjiknuri, Dionis Imeraj, kryebashkiaku aktual i Dibrës dhe Agron Malaj kryetari i Bashkisë së Burrelit, por prokuroria thotë se nuk rezultoi e provuar që ata të kenë konsumuar këtë vepër penale.

“Nga materialet e përgjimit të administruara lidhur me këto persona, ka rezultuar se ata kanë patur rol aktiv në fushatën e zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë Dibër, të zhvilluara në datën 11 shtator 2016, duke mbështetur politikisht kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane, por nga hetimet nuk provohet qe këto persona të kenë ofruar para, të kenë bërë premtime, apo të kenë përdorur forma të tjera të korrupsionit zgjedhor, me qëllim për të marrë vota pro, kandidatit që ka mbeshtetur”, arsyeton prokuroria.

Dosja e bujshme 184, që trazoi politikën shqiptare pas publikimit të përgjimeve në BILD-in Gjerman, u zhbë, përderisa bëri disa herë rrugëtimin nga Dibra në Tiranë e anasjelltas, për t’u vendosur përfundimisht në qytetin e largët, pasi SPAK lau duart prej saj, me pretendimin se nuk kishte kompetencë për ta hetuar.

Login to post comments