Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh”, këngëtarin e muzikës së lehtë dhe klasike, baritonin lirik dhe pedagogun e spikatur të kantos, zotin Agim Duro, “Në vlerësim të interpretimeve të spikatura e me nivel të lartë si dhe të kontributeve të tij të çmuara në fushën e artit skenik shqiptar, veçanërisht për zhvillimin e artit operistik dhe atij vokal në vendin tonë”.
Në fjalën përshëndetëse drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të artit të pranishëm në ceremoninë solemne, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh:
“Të nderuar pjesëmarrës, jam i lumtur që jemi sot së bashku, për të nderuar një nga solistët më të njohur dhe më të shquar të Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit dhe pedagogun e mirënjohur të kantos, zotin Agim Duro.
Baritoni lirik Agim Duro ka një karrierë të jashtëzakonshme dhe kontribut të madh, jo vetëm në fushën e artit, në gjininë operistike, por edhe në atë pedagogjike e shkencore.
Me një ngjyrim zëri cilësor, Agim Duro u evidentua në jetën artistike shqiptare, që në vitet e shkollimit pranë Institutit të Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve.
Ai ishte një nga solistët e grupit muzikor, aq të njohur në atë kohë, ‘Na bashkoi kënga popullore’, grup që solli një frymë të re në muzikën e përpunuar shqiptare dhe që dha mbi 1500 koncerte të muzikës popullore shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Pas diplomimit, Agim Duro u përfshi edhe në role të ndryshme në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku vazhdoi rrugëtimin e tij artistik, me një eksperiencë të gjatë pune si solist i parë në të.
Agim Duro ka qenë i përkushtuar, në përgatitjen muzikore e skenike, duke u bërë një ndër artistët më të njohur e më të dashur të Teatrit të Operas e Baletit.
Gjatë karrierës së tij të shquar artistike, Agim Duro ka realizuar një galeri të pasur rolesh dhe është përfaqësuar denjësisht si solist, brenda dhe jashtë vendit, në bashkëpunim me orkestra prestigjioze vendase dhe ndërkombëtare.
Prof. Agim Duro ka një kontribut të rëndësishëm edhe në fushën pedagogjike, së pari në Liceu Artistik ‘Jordan Misja’ e më pas, pranë katedrës së kantos në Universitetin e Arteve, deri në përfundimin e këtij misioni pedagogjik, në Tetor të vitit 2020, me daljen e tij në pension.
Gjatë gjithë karrierës edhe si pedagog, zoti Duro ka kontribuar në formimin e brezave të rinj të këngëtarëve lirikë, por edhe në hartimin e politikave kulturore, duke qenë dhe një ndër hartuesit e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Kulturor Muzikor në vendin tonë.
Edhe pse tashmë në pension, zoti Duro vazhdon të mbetet i interesuar dhe i angazhuar për të gjitha zhvillimet në fushën e artit në Shqipëri dhe vazhdon të kontribuojë në mbështetjen dhe afrimin e artistëve të rinj të përgatitur, në skenat tona.
Për të gjithë kontributin e rëndësishëm në fushën operistike me interpretimet e tij të spikatura, por edhe në atë pedagogjike e shkencore, për zhvillimin e artit operistik shqiptar, kam kënaqësinë t’i akordoj zotit Agim Duro Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.
Faleminderit