Presidenti i Republikës, Ilir Meta bëri sot homazhe për ndarjen nga jeta të kompozitorit të shquar shqiptar, Agim Krajka. Kreu i Shtetit vendosi një kurorë me lule dhe u përul para trupit të pajetë duke u shprehur personalisht ngushëllimet e sinqerta familjes Krajka, të afërmve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve artistë të kompozitorit të paharruar.
Presidenti Meta vuri në dukje se ndarja nga jeta e njërit prej personaliteteve të muzikës së lehtë dhe popullore shqiptare, këtij mjeshtri të jashtëzakonshëm dhe virtuoz, me një kontribut të vyer përgjatë dekadave në transmetimin e vlerave më të spikatura shpirtërore të kulturës sonë te brezat e rinj, e ka lënë thellësisht të pikëlluar dhe se kjo është një humbje e jashtëzakonshme jo vetëm për kulturën tonë, por edhe për të gjithë komunitetin kombëtar të artistëve./ Abcnews.al