Meta dekoron ish-futbollistin e Kombëtares Mihal Gjika me titullin “Mjeshtër i madh”

Saturday, 06 Mars 2021 20:01

 

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar me titullin “Mjeshtër i madh” ish-futbollistin e Kombëtares Shqiptare, Mihal Gjika.

Meta thekson se i paharruar mbetet talenti, virtuoziteti, sukseset dhe rezultatet e shkëlqyera sportive të arritura nga futbollisti aq popullor dhe i pamposhtur.

 

Postimi i presidentit Ilir Meta:

 

Të paharruara do të mbeten talenti, virtuoziteti, sukseset dhe rezultatet e shkëlqyera sportive të arritura nga futbollisti aq popullor dhe i pamposhtur Mihal Gjika, mjeshtri i mbrojtjes së ‘Labinotit’, ‘Partizanit’ dhe Ekipit Kombëtar.

Energjik dhe plot autoritet në çdo ndeshje të luajtur, betejat e ‘Lakes’ në fushën e blertë kujtohen edhe sot nga sportdashësit, veçanërisht për faktin se në çdo dyluftim ai dilte fitimtar, aq sa sulmuesit e të gjitha skuadrave duhet t’i bënin mirë llogaritë përpara se të ballafaqoheshin me mbrojtësin legjendar.

Në kujtesën e tifozëve janë memorizuar kryesisht debutimet e shkëlqyera të Mihal Gjikës në ndeshjet me të dyja Gjermanitë e asaj kohe, Rumaninë, Poloninë, Turqinë, Finlandën e shumë të tjera, që i rritën autoritetin sportiv dhe respektin e merituar të sportdashësve.

Në vlerësim të talentit, lojës së dalluar, shpirtit të rrallë të garës dhe rezultateve të jashtëzakonshme, që ngritën lart emrin e “Labinotit”, “Partizanit” dhe Ekipit Kombëtar, pata nderin të çmoj Mihal Gjikën, me Titullin i lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Karrieria e tij e suksesshme frymëzon edhe sot të rinjtë e të rejat e Elbasanit për të ecur në gjurmët e kësaj trashëgimie të vyer sportive

Login to post comments