Nga Agim Nesho - 08/03/2021
Reforma në drejtësi është një proces i domosdoshëm i shtetit të së drejtës dhe vjen bashkë me ndryshimin e sistemit politik. Vjen me ndryshimin e sistemit politik se garanton funksionimin e pavarur të një pushteti, atij gjyqësor, për të krijuar balancat e nevojshme të pushteteve për funksionimin e shtetit demokratik.
Përpjekje për të bërë reformë në drejtësi ka pasur menjëherë pas revolucionit demokratik të viteve ’90 në Shqipëri ku Parlamenti pluralist demokratik aprovoi gjithë legjislacionin e ri të përshtatshëm për funksionimin e një shoqërie demokratike. Por bashkë me këto ndryshime të nevojshme politika influencoi në ndërrimin ‘en block’ të aparatit gjyqësor dhe zëvendësimin e tij me militantë të përgatitur me kurse 6 mujore. Që nga kjo kohë cdo rotacion politik në Shqipëri me marrjen e pushtetit përpiqej të rregullonte influencën e tij në këtë sistem për të kënaqur përkrahësit e tij dhe për të garantuar vetveten.
Pas rotacionit politik të vitit ’97 Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan me insistim që politika të mos ndërhynte në systemin gjyqësor por të vepronte në bazë të meritës për cdo individ (takimi i Albright me kryeministrin Nano në vitin 1997). Socialistët e atëhershëm ishin institucionalë dhe donin të bashkëpunonin prandaj e pranuan këshillën.
Por dëshira për të kontrolluar pushtetin, korrupsioni dhe garancia për të mos u goditur i shtynë ata të bëjnë ndryshime në institucione, ku me institucionet e reja vinin edhe njerëzit e rinj. Me hartimin dhe miratimin e Kushtetutës organet e reja gjyqësore pësuan ndryshime strukturore. Të gjitha lëvizjet dhe prioritetet në këtë pushtet të pavarur bëheshin nga politik,a e cila kërkonte ta kontrollonte dhe bënte pjesë të saj. Në vlerësimin kryesor, gjatë periudhës së tranzicionit është politika që ushtron presion tek drejtësia dhe kërkon ta kontrollojë atë.
Në këtë vijueshmëri të bashkë-ekzistencës jo-parimore por pragmatiste të dy pushteteve ecuria vazhdonte të ishte e qetë. Kontrolli dhe balancat bëheshin nëpërmjet opozitës së vendit, e cila në mungesë të sistemit të balancave të pushtetit kishte rolin kryesor në tejkalimin e ngërceve institucionale.
Në vitin 2013 vjen në pushtet një grupim individësh me pretendimin për të sjellë Rilindjen në vend, lideri i së cilës pretendonte që nuk ishte politikan por misionar për një fillim të ri. Si gjithë misionarët e tjerë në historinë botërore, që veprimet dhe qëndrimet e tyre i kanë in extremis, si Hugo Chavez, Saakashvilli, Duterte, etj., të cilët e kanë filluar qeverisjen e tyre me reformën në drejtësi, edhe Rilindja veproi në të njëjtën mënyrë. Duke qenë jo institucionalë, narcizistë, populistë në formë, reformat i kanë perceptuar jo në funksion të shtetit të së drejtës por në funksion të idesë së tyre të pushtetit të pakontestuar. E si mund të ishte për reformën në drejtësi një lider si Rama që lajtmotivin e tij ka pasur gjithmonë shprehjen ‘Ky shtet nuk bëhet me ligje’.
Dhe reforma në drejtësi e propozuar nga Rama u pranua nga të gjithë me entuziazëm. SHBA kërkonte luftë kundër korrupsionit dhe ndërtim të shtetit të së drejtës; Gjermania garanci për investimet e huaja dhe stabilitetin; Open Society që dështoi me njeriun e reformave në Gjeorgji, Saakashvilin, dhe kërkonte që një nga të favorizuarit e tij të konsolidonte pushtetin; si dhe vetë Rama që mendonte se si inisiator i reformës do të ishte njeriu i pazëvendësueshëm për një kohë të gjatë.
Një reformë që lindi nga dashamirësia e faktorit ndërkombëtar për të ndihmuar Shqipërinë dhe për të ecur përpara dhe bërë një vend me standarde perëndimore të shtetit të së drejtës, një reformë e pranuar dhe e votuar 100 % nga gjithë spektri politik shqiptar si një fillim i ri dhe një reformë që do të përdorej nga Rama për të mbajtur pushtetin e tij. Kush mund të besojë që njeriu që thërret më shumë për reformën në drejtësi është njeriu që në ekzekutiv nuk njeh dhe nëpërkëmb çdo ligj në lidhje me koncesionet për veprat publike dhe dhënien e PPP-ve, administrimin e pronës publike, etj.
Sjellja e z. Rama ndaj reformës në drejtësi është ajo e një inkuizitori dhe pronari të saj, që gjykon, shan, shpall kush duhet të dënohet dhe kush jo, deri në përcaktimin e masës së arrestit për një person të thjeshtë dhe për një mjek pa rrezikshmëri shoqërore. Duke luajtur këtë rol ai e ka disbalancuar reformën dhe po kontribuon në mos suksesin e saj.
Nuk ka parti ose individë kundër reformës në drejtësi në Shqipëri, por kundër mënyrës së sjelljes nga lideri në pushtet për ta përdorur atë si mjet të pushtetit dhe jo si qëllim në të mirë të vendit. Një individ që mundohet të përcaktojë kush është i miri dhe kush është i keqi, kush duhet dënuar dhe kush duhet të mbesë pa dënuar, ku gabon dhe ç’duhet të bëjë drejtësia është lideri që kërkon ta përdorë reformën në drejtësi si mjet të fuqizimit të pushtetit të tij të pakufizuar.
Në vend të përfundimit
Tetë vjet pas një konsumi të plotë të pushtetit z. Rama kërkon të marrë një mandat të ri duke thirrur prapë në vëmendje reformën në drejtësi. Gjatë gjithë kësaj periudhe vendi ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, ku kërkesat e opozitës dhe shoqërisë civile për shkeljet kushtetuese dhe ligjore nga ekzekutivi mbeten pa përgjigje.
Pushteti është bërë më autoritar dhe shteti më i kapur. Të gjithë treguesit e funksionimit të shtetit dhe demokracisë nga forumet më prestigjioze ndërkombëtare si Freedom House, Transparency International, Doing Business, organizatat për median e lirë, etj. janë përkeqësuar. Vendi gjithmonë e më shumë po shihet si një shoqëri jo-liberale ku kontrolli i medias së lirë dhe drejtësisë po shtohet.
Rikthimi tek reforma në drejtësi është një lëvizje dëshpëruese e z. Rama për një mision që vetë ai e ka krijuar dhe përdorur si kalë beteje kundër kundërshtarëve politikë. Përpjekja për ta monopolizuar atë, goditur në emër të saj, kur vetë pushteti ekzekutiv i krijuar prej tij vepron kundër frymës së reformës dhe suksesit të saj, tregon se reforma më shumë se domosdoshmëri për vendin shikohet si një mjet për mbajtjen e pushtetit.
Reforma në drejtësi i duhet vendit dhe ajo do të bëhet për interesat e vendit dhe jo të politikës, jo nga ata që deri tani e kanë përdorur atë