Ditën e sotme, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ishte në Bulqizë ku ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë të qarkut të Dibrës.
Teksa ka diskutuar me qytetarët, Kryemadhi ka theksuar se pika kryesore e LSI-së është lufta kundër shpopullimit të vendit nga të rinjtë.
“Një nga pikat tona kryesore është lufta kundër shpopullimit, që ka të bëjë drejtpërdrejtë me largimin e të rinjve, gjë që ne duhet ta ndalojmë. Këtë vit Shqipëria ka vdekshmëri më të lartë sesa lindshmëri. Po rrudhen familjet shqiptare, të rinjtë dhe të rejat po na largohen. Mundësia për të parë një vend që rritet e lulëzon është shumë e vogël me një qeverisje të inkriminuar, kaq të kapur, kaq problematike, që i shikon njerëzit si insekte dhe jo si qenie ku pushteti ka buruar prej votës së tyre”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi shprehet se përfshirja e të rinjve në politikë, sidomos e grave dhe vajzave është shumë e rëndësishme për emancipimin e shoqërisë, por edhe për e civilizon atë.
“Unë mendoj që përfshirja e të rinjve dhe të rejave është shumë e rëndësishme, sidomos e grave dhe vajzave. Jo se dua të bëhem feministe në këtë drejtim, por është shumë e rëndësishme, sepse në fund të fundit angazhimi i gruas është një nga pikat kryesore, e cila rrit jo vetëm pjesëmarrjen në politikë dhe në vendimmarrje, por edhe civilizon, emancipon dhe e bën për të ecur me ritme më të shpejta”, përfundoi Kryemadhi.
Kujtojmë se kandidatët për deputetë të qarkut të Dibrës janë Hajri Laçi, Blendi Gurra, Luljeta Skurra, Merita Hoxha, Bora Kaci, Altin Koltraka