Presidenti Ilir Meta e ka quajtur shumë të trishtë lajmin për ndarjen nga jeta para kohe të mjekut të njohur endokrinolog Gerond Husi, i cili e humbi betejën e tij për jetën përballë virusit të rrezikshëm.
Mreta shkruan në postimin e tij se “kjo është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen, miqtë dhe komunitetin e mantelbardhëve, që krijon një boshllëk të madh në ndihmën e kualifikuar ndaj të sëmurëve, për shkak edhe të humbjes së shumë mjekëve të tjerë të nderuar që kjo pandemi e rrezikshme i ndau prej nesh”.
Në këtë rast, kreu i shtetit gjen momentin për të bërë edhe një herë apel ndaj Qeverisë të mos kursejë asgjë “për të garantuar mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së të gjithë mjekëve të angazhuar në vijën e parë kundër #COVID19”.
“Me forcë përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të marrë të gjitha masat efektive, pa kursyer asgjë, për të garantuar mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së të gjithë mjekëve të angazhuar në vijën e parë kundër #COVID19”, shkruan Meta.
POSTIMI I PLOTE
Shumë trishtues lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të Dr. Gerond Husit, profesionist i shkëlqyer dhe personalitet i shquar i mjekësisë shqiptare, i cili e humbi betejën me #COVID19.
Përherë pranë pacientëve në Shërbimin e Endokrinologjisë në QSUT, ku spikati për përkushtimin dhe humanizmin, kjo është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen, miqtë dhe komunitetin e mantelbardhëve, që krijon një boshllëk të madh në ndihmën e kualifikuar ndaj të sëmurëve, për shkak edhe të humbjes së shumë mjekëve të tjerë të nderuar që kjo pandemi e rrezikshme i ndau prej nesh.
Me forcë përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të marrë të gjitha masat efektive, pa kursyer asgjë, për të garantuar mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së të gjithë mjekëve të angazhuar në vijën e parë kundër #COVID19.
Investimi i duhur në këtë drejtim shkon edhe për shëndetin e qytetarëve, të cilët presin shumë nga puna dhe përkushtimi i mjekëve, në këto kohë të vështira.
Familjes Husi, kolegëve dhe miqve të tij ju shpreh gushëllimet më të ndjera, për këtë humbje të rëndë, që kërkon reflektim të thellë.
I paharruar kujtimi i Dr.Gerit! Të prehet në paqen e merituar! 🙏
© Panorama.al
Subscribe