Gjatë ditës së sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar edhe një takim me qytetarë të vjetër elbasanas.
Qytetarët u shprehën të zhgënjyer për gjendjen dhe imazhin që i është dhënë pas 8 viteve këtij qyteti, ku një prej tyre tha se elbansallinjtë janë nën hyqmin e gangësterëve.
“Unë jam ish-drejtoresha e Bibliotekës së Elbasanit, bibliotekës publike, edhe më vjen keq që Elbasani është kthyer në një Elbasan gangsterësh, Elbasan rrugaçësh që nuk zgjidh asnjë problem, sidomos probleme pronash. Të vjen tjetri të ndërton pa leje në vesh të shurdhët dhe të ankohesh, asnjë zgjidhje. Dhe mua më vjen keq që elbasanllinjtë e urtë ulin kokën më shumë edhe janë nën hyqmin e gangsterëve. Jam shumë e shqetësuar për këtë fakt dhe shpresojë te 25 prilli që do të ndryshojë gjithçka. Elbasani mikpritës, Elbasanin e urtë, elbasanllinjtë e urtë do ta bëjë që ta ndjejnë dorën e ngrohtë të qeverisë!”
Nga ana e tij, Lulzim Basha tha se 25 prilli është dita që qytetarëve të Elbasanit do t’u kthehet dinjiteti i munguar. Ai tha se me reformat që do të marrë Partisë Demokratike, në ekonomi dhe në të gjitha fushat e tjera, do luftohet papunësia, do hapen vende pune, si dhe do mundësojë që shqiptarët ta përballojnë koston e jetesës.
“Është Elbasani i qytetarisë dhe Elbasani i dijes, Elbasani i Normales, fillimit të progresit të Shqipërisë drejtë dijes. Ka ardhur koha që këtë qytetari dhe këtë kulturë të Elbasanit, ta vendosim në piedestal, aty ku për 8 vite me radhë për fat të keq janë vendosur llumi i shoqërisë. Kanë 8 vite që Elbasanit të kulturës, Elbasanit të qytetarisë, Elbasanit të arsimit, i kanë vënë mbi krye injorant, njerëz që e kanë mendjen vetëm me vjedh e me u pasurua për veten e tyre.
Dhe po jua them edhe njëherë: unë e ndjej si thirrje, si thirrjen tuaj për t’i prirë betejës për këtë ndryshim, është thirrja juaj që të ketë një ndryshim, është thirrja e qytetarëve shqiptarë që të ketë një ndryshim dhe kjo më obligon t’i prij betejës për ndryshimin, por ndryshimi do të jetë i vërtetë dhe i prekshëm kur të mos lë pas dhe mos të harroj asnjë aspekt të jetës së shqiptarëve duke përfshirë artin dhe kulturën. Ndaj nuk do të keni vetëm një qeveri të ekonomisë. Po, do të keni një qeveri të ekonomisë, do të keni një kryeministër të ekonomisë që do luftoje papunësinë, të hapë vende pune, që do kujdeset që shqiptarët ta përballojnë koston e jetesës, me taksa të ulëta për sipërmarrjen por do të keni edhe një kryeministër të dijes. Do investoj shumë tek arsimi, tek dija, tek kultura, për këtë ju siguroj sot, këtë Ditë të Verës nga Elbasani i normales, nga Elbasani i arsimit, nga Elbasani i kulturës. Të bëhemi të gjithë bashkë në 25 prill që në 26 prill ta festojmë edhe njëherë ditën e verës, ditën e ndryshimit që pret Elbasani dhe që pret e gjithë Shqipëria”, tha Lulzim Basha