Duke komentuar ngjarjet e ndodhur në Elbasan një ditë më parë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta tha se ishte një provokim nga ana e qeverisë.
“Elbasani ishte një inskenim. Isha në Durrës me shumë kolegë tuaj. Bëra mirë që nuk vajta në Elbasan për shkak të pandemisë. Nëse dalin aty dhe më thonë Meta ik! Do t’i përshëndes dhe do t’i puth sepse kjo është demokracia. Detyra e qeverisë, e cila ka të gjitha institucionet qendrore dhe vendore ishte, të mos krijonte përplasje”- thekson ai.
Presidenti shprehet se “mua nuk më intereson se kush fiton, po meqë kemi një ballafaqim, duhet të kemi parasysh që nuk është një ballafaqim midis Metës dhe Edi Ramës siç do ai ta interpretoj.
Ky është një ballafaqim midis instalimit të autokracisë dhe kleptomanisë në këtë vend në shërbim të interesave të të tjerëve, Rama është thjeshtë një peng i tyre”.
Duke komentuar deklaratat e Ramës sipas të cilit “qytetarët më 25 prill do të zgjedhin midis drejtësisë dhe Ilir Metës”, kreu i shtetit i konsideron përralla.
“Akoma flisni për drejtësinë e Edi Ramës. Akoma vazhdoni me këto përralla? Ata i keni të gjithë në dosjet e Shijakut dhe të Dibrës. Me drejtësinë e Engjëll Agaçit vazhdoni? Po të kishte drejtësi do të hapeshin burgjet dhe do të përmbusheshin kushtet e Bashkimit Evropian. Drejtësia do të vijë nga vota e lirë në zgjedhjet e 25 prillit. Të mos guxojë të prekë dhunë ndaj qytetarëve.
Reforma në drejtësi do të vazhdojë sipas Kushtetutës që u miratua me 140 vota. Nuk bëj lojëra unë. E dini shumë mirë se kush nuk erdhi në tavolinë. Drejtësi dhe noterë që betohen te Lana kurrë nuk do ta pranojë në vendin tonë. Le ta eksperimentojnë në vendet e tyre”- shtoi ai në Syri.tv.
Meta tha gjithashtu se prej vitesh Ministria e Drejtësisë, nuk i jep Presidentit asnjë informacion që kërkon, për çështjen e pronave të Komunitetit Fetar.
“Ministria e Mbrojtjes, nuk i jep asnjë informacion Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, për pronat e Ushtrisë. Për çdo pronë që ata kanë dhënë në mënyrë të paligjshme do të mbajnë përgjegjësi. Ata që i kanë dhënë janë kandidatë për deputet të mazhorancës”, shtoi gjithashtu