Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në vitin 2009, kur ishte Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Zëvendëspresidentit Joe Biden, nën Presidencën Obama, vlerësonte Kryeministrin Berisha për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në një njoftim të Kryeministrisë së asaj kohe, ruajtur në faqen http:// arkiva.km.gov.al/ thuhet se: Unë vlerësoj suksesin e qeverisë së Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe reformat ekonomike të implementuara.
“Dje pasdite në Shtëpinë e Bardhë, Kryeministri Berisha u prit në takim nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Zëvendëspresidentit të SHBA-së, z. Antony Blinken. Kryeministri Berisha e njohu z. Blinken me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me qëllim shndërrimin e Shqipërisë në një vend të sigurt për qytetarët dhe një vend tërheqës për investimet të huaja.
Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje reformat e qeverisë në fushën ekonomike, krijimin e një klime të favorshme për biznesin, duke përmendur shkurtimin e shpenzimeve operative, nxjerrjen e administratës jashtë konfliktit të interesit, dixhitalizimin e shërbimeve administrative, si e-government, e-taksat etj. Nga ana e tij, Zoti Blinken vlerësoi me nota tejet pozitive zhvillimet në Shqipëri dhe theksoi se ndihej entuziast për rezultatet dhe sukseset e arritura nga qeveria shqiptare.
Ai e vlerësoi procesin e anëtarësimit në NATO si një moment të madh historik dhe theksoi se baza kryesore e këtij anëtarësimi janë standardet e arritura nga qeveria shqiptare. Ai shprehu vlerësimin e lartë për aleancën e madhe të Shqipërisë me SHBA-në, duke e konsideruar vendin tonë një nga miqtë më të mirë të SHBA-së. Gjithashtu, zoti Blinken vlerësoi lart suksesin e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformat ekonomike etj. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Zëvendëspresidentit të SHBA-së, z. Antony Blinken, e siguroi Kryeministrin Berisha se administrata e re e Presidentit Obama do të vazhdojë të njëjtën mbështetje dhe vëmendje ndaj vendit tonë dhe siguroi se qeveria shqiptare dhe Shqipëria do të gjejnë te kjo administratë miq të mirë dhe aleatë të fuqishëm. Ai theksoi se marrëdhëniet mes dy vendet do të njohin nivele akoma më të larta të bashkëpunimit dhe miqësisë”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.