Nga Zëri i Amerikës
Në Tiranë, Stërvitja ushtarake “Defender Europe 21” zhvilloi sot një Ditë të Hapur në kryeqytetin shqiptar pas një seri veprimtarish profesionale në pothuaj gjithë territorin e vendit.
Ceremonitë dhe demonstrimet e trupave amerikane dhe shqiptare u zhvilluan në sheshin “Nënë Tereza”, ku ishin vendosur edhe një numër trupash amerikane dhe shqiptare dhe pajisje të llojeve të ndryshme, helikopterë dhe automjete të rënda.
Në ceremoni morën pjesë autoritetet më të larta të shtetit shqiptar dhe ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim.
Mësohet se ambasadorja Kim kishte kërkuar që në ceremoninë e sotme të ftoheshin Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Zoti Basha nuk ishte në këtë ceremoni, ndërsa presidenti Meta mori pjesë dhe mbajti një fjalë përshëndetëse.
Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, tha se Stërvitja “Defender Europe 21” dhe kjo Ditë e Hapur janë një rast i shkëlqyer që të shihet nga të gjithë bashkëpunimi i ngushtë shqiptaro-amerikan, i cili është krijuar në shumë dekada më parë dhe po forcohet më tej sot dhe për të ardhmen.
“SHBA ka një mike të vërteë dhe të guximshme tek Shqipëria, ka tek ajo aleaten më të fortë dhe më të vërtetë. Defender 21 hap një perspektivë të madhe e të rëndësishme për bashkëpunimin shqiptaro-amerikan. SHBA është përherë përkrah Shqipërisë në qëllimet e saj për liri, pavarësi dhe demokraci. Ne jemi bashkë krah për krah – sot, nesër dhe gjithmonë” – tha ambasadorja Kim.
Presidenti Meta falenderoi SHBA-të për ndihmesën dhe mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugën e saj atlantiste, si dhe për faktin që zgjodhën Shqipërinë si vend pritës, për zhvillimin e kësaj stërvitje tepër të rëndësishme.
“Si vend anëtar i NATO-s, ne ndjehemi të vlerësuar për këtë fakt. NATO është aleanca më e madhe e lirisë dhe besimi i popullit shqiptar dhe mbështetja ndaj saj është unanime, ashtu sikundër edhe vokacioni ynë europian” – tha zoti Meta.
Në ceremonisë e Ditës së Hapur të Defender 21 në Tiranë kryeministri Edi Rama vlerësoi lart aftësitë dhe angazhimin e trupave shqiptare dhe amerikane për plotësimin e detyrave të mbrojtjes dhe sigurisë.
“Besimi që SHBA-të kanë treguar në vazhdimësi vijim tek ky partneritet dhe tek kjo aleancë e madhe strategjike me Shqipërinë e vogël kulmon me këtë stërvitje ushtarake, “Defender Europe 21”, e cila jo rastësisht është stërvitja më e madhe, me përfshirjen më domethënëse që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e rajonit tone” – tha zoti Rama.
“Defender Europe 21” është stërvitja më e madhe ushtarake në rajonin Ballkanit që nga Lufta e Dytë Botërore, më e rëndësishmja në kuadër të NATO-s, që po zhvillohet në 7 baza të ndryshme ushtarake në Shqipëri.
Në këtë stërvitje marrin pjesë më shumë se 28 mijë trupa nga 26 shtete. Shqipëria ka rol kryesor në këtë stërvitje si vend mikpritës dhe stërvitor, duke vënë në dispozicion disa baza ushtarake ajrore, detare dhe tokësore