Meta pret delegacionin e “Grupit C5”: Presidenca e ardhshme sllovene e BE, mundësi e favorshme për vendin tonë

Diel, 23 May 2021 15:47

 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta është takuar këtë të diel me përfaqësuesit e vendeve të “Grupit C5” të kryesuar nga Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Anze Logar. Ky i fundit, do të kryesojë Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian dhe e nis detyrën në korrik të 2021-it. Përmes një postimi në facebook, kreu i shtetit shkruan se fokusi i takimit ka qenë mbështetja që Sllovenia dhe vendet e tjera të “Grupit C5”, do t’i japin Shqipërisë për anëtarësimin në BE.

Postimi i plotë

 

Kënaqësi të takohesha me përfaqësuesit e vendeve të “Grupi C5” të kryesuar nga Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, z.Anze Logar, që do të kryesojë Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, që nga korriku 2021. Vlerësova miqësinë tradicionale mes këtyre vendeve dhe Shqipërisë duke i falënderuar veçanërisht për ndihmën dhe mbështetjen miqësore dhe të vazhdueshme, që i japin Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Duke vlerësuar Presidencën e ardhshme sllovene të BE-së si mundësi të favorshme për vendin tonë dhe për të gjithë rajonin, nënvizova rëndësinë, që ka çelja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe përparimi me shpejtësi në këtë proces.

Duke uruar që të gjitha përpjekjet e përbashkëta si për zbatimin e reformave ashtu edhe për një vendimmarrje pozitive europiane të korrin sukses të shpejtë, i falënderova edhe një herë të tria vendet për mbështetjen e sinqertë dhe këmbëngulëse

Login to post comments