Presidenti Meta dekoron me Titullin “Mjeshtër i Madh” peshëngritës të spikatur

Hënë, 24 May 2021 14:08

 

Në një ceremoni solemne, Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” peshëngritës të spikatur, me kontribute të rëndësishme për zhvillimin cilësor të këtij sporti në vendin tonë.

Kreu i Shtetit dekoroi peshëngritësin e shquar, z.Vehap Xhindoli “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar sportive, si një nga figurat historike të peshëngritjes së qytetit të Elbasanit, me kontribut të çmuar si sportist e trajner i suksesshëm, duke ngritur lart emrin e prestigjin e peshëngritjes shqiptare.”;

 

Z.Esat Ademi “Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar në sportin e Peshëngritjes, si sportist Kampion me ekipet ‘Vllaznia’, ‘Partizani’ dhe Ekipin Kombëtar. Drejtues i suksesshëm i Federatës së Peshëngritjes, me rezultate të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.”;

Z.Ilir Çelaj “Në shenjë vlerësimi për kontributin e shquar si trajner i rezultateve të larta në sportin e Peshëngritjes të ekipit ‘Elbasani’ dhe Ekipit Kombëtar. Figurë e shquar e sportit në qytet, shembull në përgatitjen e sportistëve, duke ngritur lart emrin e prestigjin e peshëngritjes shqiptare.”;

Z.Endri Haxhihyseni “Në shenjë vlerësimi për rezultatet e larta si Kampion dhe Rekordmen në sportin e Peshëngritjes, me ekipet ‘Elbasani’, ‘Tirana’ dhe Ekipin Kombëtar, të arritura në garat kombëtare dhe ndërkombëtare. Sportist i përkushtuar e peshëngritës i talentuar.”;

si dhe z.Gerti Trasha “Në shenjë vlerësimi për kontributin e shquar në sportin e peshëngritjes. Sportist kampion, me rezultate të shkëlqyera në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar sportistëve të dekoruar, familjarëve dhe kolegëve të tyre të pranishëm në ceremoni, Presidenti Meta u shpreh:

“Është një privilegj i veçantë, nderimi i disa personaliteteve të shquara të peshëngritjes dhe të sportit tonë, të cilët me rezultatet e tyre kanë kontribuar, për të përfaqësuar me dinjitet këtë sport në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Sporti ynë është i mbushur me shumë ngjarje të suksesshme nga peshëngritja, që vazhdon të ushtrohet me të njëjtin pasion, për fat të mirë edhe sot, nga të rinjtë dhe fëmijët shqiptarë.

Padyshim, që peshëngritja është pjesë shumë e rëndësishme e historisë së sportit shqiptar, dhe rezultatet e saj na kanë bërë të ndihemi krenarë, nga rekordi botëror i të madhit dhe të paharruarit Ymer Papmuri e deri në medaljet më të fundit të Briken Caljas.

Kam kënaqësinë të vlerësoj me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’, veteranin e peshëngritjes dhe të shumë sporteve të tjera, z. Vehap Xhindoli, një personalitet i njohur për sportin e peshëngritjes, por dhe për atletikën, akrobacinë, njëkohësisht edhe themelues i cirkut të Elbasanit.

Me punën dhe falë talentit të tij, z.Xhindoli ka thyer 70 rekorde kombëtare, ka fituar titullin Kampion për 8 vite rresht dhe ka shënuar arritje të tjera të shquara.

Kënaqësi e veçantë të vlerësoj gjithashtu edhe z.Esat Ademi, një tjetër personalitet i njohur i peshëngritjes, sportist i niveleve më të larta me ‘Vllazninë’, me ‘Partizanin’ dhe me Ekipet Kombëtare, i cili ka arritur të jetë jo vetëm Kampion i vendit, por dhe fitues i shumë Kupave dhe medaljeve.

Një kontribut të jashtëzakonshëm ai ka dhënë edhe si President i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, nëpërmjet mbështetjes së talenteve të reja dhe lidershipit të shquar të dëshmuar për arritjen e shumë sukseseve të rëndësishme në veprimtaritë ndërkombëtare të këtij sporti.

Është kënaqësi të vlerësoj edhe z.Ilir Çelaj, një nga trajnerët më të njohur të peshëngritjes, jo vetëm të Elbasanit, por edhe të Ekipeve Kombëtare, i cili ka përgatitur kampionë dhe rekordmenë të njohur.

Ilir Çelaj mban, që nga viti 1996, titullin e kryetrajnerit me Ekipin Kombëtar të Peshëngritjes dhe e ka përfaqësuar atë, pothuajse në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare olimpike, botërore, europiane, Lojërat Mesdhetare dhe Lojërat Ballkanike.

Dy peshëngritës të shkëlqyer, kampionë dhe rekordmenë, që i nderojmë me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’ janë Endri Haxhihyseni dhe Gerti Trasha, të cilët me rezultatet e tyre në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare, kanë ngritur lart prestigjin jo vetëm të peshëngritjes, por të mbarë sportit shqiptar.

Këta sportistë dhe trajnerë janë një shembull frymëzimi për të gjithë të rinjtë dhe fëmijët në vendin tonë, të cilët kanë pasion peshëngritjen.

Rezultatet e merituara, që këto personalitete të sportit tonë kanë arritur, janë shembull frymëzimi për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve, me modelet më të mira, se si mund të arrihet suksesi me punë e me këmbëngulje dhe në këtë mënyrë të ngrihet lart me dinjitet edhe flamuri kombëtar.”

 

Login to post comments