Padinë e Berishës në gjykatën korreksionale të Parisit ndaj sekretarit amerikan të shtetit Antoni Blinken me akuzën e shpifjes pas vendimit për shpalljen non grata shumë e kanë lexuar si një truk të ish-kryeministrit, marrë shkas nga raportet SHBA-Francë.
Por Berisha i ftuar në “PolitikOn” në Rtv Ora e qartëson se nuk ka ndërmend tu bashkohet miliona anti-amerikanëve në Europë.
“Jo nuk ka. Nuk kam ndërmend kurrë tu bashkohem miliona anti-amerikanëve në Europë. Në Europë e majta europiane ka nxitur antiamerikanizëm të papërmbajtur, unë nuk mund të bashkohem. Këtë akt, këtë vendim absurd të bazuar në shpifje nuk mundem kurrë ta marr si simbol të Amerikës, e marr si dobësi padiskutim”, tha ish-kryeministri.
Berisha insiston se ky është një vendim i bazuar në shpifje.
“Të marrësh një vendim të tillë dhe të thuash se u bazova në raporte të financuara nga Xhorxh Soros, në raportet e Edi Ramës dhe u bazova në mediat që kontrollon Rama.Soros është i fuqishëm. Jashtë ofiqeve politike ai është njeriu më i fuqishëm i botës, jashtë funksioneve zyrtare politike”, tha ai.
Koha kur erdhi për Berishën nuk është rastësi.
“Është menduar se kjo goditje do të më dobësojë në një kohë që ka efekt të kundërt te unë”, deklaroi Berisha