Radioja gjermane, DW: Shqipëria ngjitet në çatinë e botës, po me cilat prioritete?

Saturday, 12 June 2021 19:30

 

Shqipëria bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit: për dy vjet Vend i vogël me politikë të jashtme konstruktive.

Shqipëria u zgjodh dje anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit. Duke filluar nga 1 janari i vitit 2022, Shqipëria do të ulet për dy vjet rresht në një nga pesëmbëdhjetë ulëset e organit të OKB për menaxhimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Shqipëria do të ketë kështu një votë në vendimet që merren nga Këshilli i Sigurimit. Është kjo hera e parë që Shqipëria bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit, që prej anëtarësimit në OKB më 1955. Në votimin e bërë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, Shqipëria mori 170 vota nga 190 vendet që votuan.

Përfaqësuese e grupit të vendeve europiano-lindore

Shqipëria është në këtë ulëse, përfaqësuese e grupit të vendeve europiano-lindore. Që të kandidonte Shqipërisë iu desh fillimisht të marrë pëlqimin nga 23 shtetet e grupit të vendeve europiane lindore. Zgjedhja e një përfaqësuesi nga ky grup bëhet një herë në dy vjet, në vitin tek. Pas vitit 1991 ky grup është zgjeruar me 15 anëtarë, për shkak të shteteve të reja të krijuara nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, Çekosllovakisë dhe Jugosllavisë. 11 vende të grupit janë anëtare të Bashkimit Europian, katër janë kandidatë, mes tyre Shqipëria.

Në „marrëveshjen e zotërinjve” të vitit 1946, ka pas qenë parashikuar që vendet e Europës Lindore të kenë një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Por kjo nuk u realizua asnjëherë dhe Bashkimi Sovjetik dhe Perëndimi për 20 vjet me radhë patën ulur kandidatin e tyre të preferuar në këtë ndenjëse. Ky vend ka pas qenë shumë i preferuar mes shteteve as këndej e as andej, pra pa ndarje të qartë rajonale dhe politike, si për shembull Filipinet dhe Jugosllavia dikur.

Përveç grupit të vendeve europiano lindore, vendet bëhen bashkë në grupin afrikan me 54 shtete, grupin e Azisë dhe Paqësorit me 54 shtete, grupin e Amerikës Latine dhe Karaibeve me 33 shtete dhe grupin e europiano-perëndimorëve dhe vendeve të tjera me 28 shtete. 63 vende, mes tyre edhe Shqipëria nuk kanë qenë deri tani asnjëherë anëtarë të Këshillit të Sigurimit.

Prioritetet e Shqipërisë

Kandidimin Shqipëria e ka bërë që më 2009 dhe ka theksuar në fushatë se do të sjellë në Këshillin e Sigurimit perspektivën e një vendi të vogël me politikë të jashtme konstruktive dhe përkushtim ndaj multilaterizmit.

Pesë çështje janë kyçe për Shqipërinë: gruaja, paqja dhe siguria, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm, të drejtat e njeriut, klima dhe siguria dhe metodat e punës së Këshillit të Sigurimit.

Çështjet kryesore dy vitet e ardhshme

Disa nga çështjet që do e shoqërojnë Këshillin e Sigurimit më 2022 janë Izraeli dhe Palestina, Mjanmari, Siria dhe Ukraina. Po ashtu vazhdimi i marrëveshjeve për operacionet e paqes, mandati i tyre, kostot dhe rritja e efektivitetit. Disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit mendojnë se ushqimi dhe klima duhet të futen në çështjet e sigurisë dhe paqes ndërkombëtare. Disa vende të tjera jo. Për shembull, Shqipëria, Gana, Gaboni dhe Emiratet e Bashkuara kërkojnë rritjen e rolit të Këshillit të Sigurimit në ndryshimin e klimës dhe çështjet e sigurisë. Kurse Kina, Rusia, India dhe Brazili kanë rezerva për punën e Këshillit në këtë pikë.

Angazhimi i KS në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm pritet të shtohet më 2022 po ashtu si përpjekjet për zbatimin e axhendës gruaja, paqja dhe siguria

Login to post comments

Lajmet e fundit

Tifozët shqiptarë janë kampionët e birrës/ Bien nga froni anglezët

Sport

Tifozët shqiptarë janë kampionët e birrës/ Bien nga froni anglezët

Ky është Europian rekordesh për shqiptarët.   Kur ishte menduar se si zakonisht, rekordin për konsumin e birrave do e shënonin anglezët apo skocezët, panorama ka ndryshuar.     Sipas gazetës gjermane, Waltroper Zeitung, kampionët...

Ekspertja: Pse SPAK nuk ndjek paranë e kompanive që ka hetuar, pse nuk bllokon ‘5D’

Politikë

Ekspertja: Pse SPAK nuk ndjek paranë e kompanive që ka hetuar, pse nuk bllokon ‘5D’

  Ekspertja e ekonomisë, Brisida Shehaj ka folur në lidhje me skandalin e inceneratorëve se kush pritet të digjet tani. Gjatë bisedës, Shehaj tha se SPAK nuk po ndjek paranë e kompanive...

‘New York Times’: Nedim Bajrami, rekordmeni i Euro 2024 që shkoi në gjykatë për të luajtur për Shqipërinë

Sport

‘New York Times’: Nedim Bajrami, rekordmeni i Euro 2024 që shkoi në gjykatë për të luajtur për Shqipërinë

Nga Nick Miller, New York Times   Evropa nuk ishte rehatuar ende mirë për të ndjekur ndeshjen Itali-Shqipëri të shtunën, kur e gjithë loja u kthye përmbys.   Kishin kaluar njëzet e tre sekonda...