Në Ballkanin Perëndimor ekziston rreziku i kapjes së shtetit. Kështu thuhet në raportin e organizatës “Lidership për Zhvillim dhe Integritet në Evropën Juglindore”(SELDI). SELDI evideton se përgjatë vitit 2020 presioni i kapjes së shtetit në rajon ende mbetet në nivele të larta.
Rezultatet tregojnë se ka dëmtime kritike në funksionimin dhe ekuilibrat demokratikë dhe ekonomikë. Në raport thuhet se monopolizimi i ekonomisë dhe institucioneve është më i lartë në Shqipëri dhe Kosovë.
Gjetjet tregojnë se korrupsioni është rritur në rajon, por veçon se në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut ka pasur përmirësim. Gjithashtu shton se përmirësimi në këto dy shtete është rezultat i presionit të BE-së.
Në raport evidentohet se ligjet mbi prokurimin publik janë rishikuar shpesh. Gjithashtu theksohet se 72% e bizneseve besojnë se qeveria nuk i përdor si duhet taksat e tyre për të ofruar shërbime më të mira publike.
Politikat që janë marrë kanë rezultuar të pasuksesshme, sipas SELDI-it. Përparimi i ngadaltë i luftës ndaj korrupsionit ka lejuar interesat private të përvetësojnë qeveritë e Ballkanit Perëndimor, duke rezultuar në kapjen e shtetit.
Kështu konstaton organizata, ndërsa shton se çlirimi nga ky fenomen mund të vijë vetëm përmes bashkëpunimit të qeverisë me shoqërinë civile dhe ndërkombëtarët.
Sipas SELDI-it është e nevojshme që organet publike në Ballkanin Perëndimor të dënojnë politikanët e korruptuar dhe të sigurojnë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.