Ambasadorja amerikane Kim: Lëreni lojërat dhe shtirjen, zotërinjë politikanë! Reforma në Drejtësi do shkojë deri në fund!

E mërkurë, 23 June 2021 11:17

 

Sot Ambasadorja amerikane Kim ishte e prerë me lojërat e politikës, që bëjnë sikur janë me Reformën në Drejtësi, por e sabatojnë me njëmijë fije intrigash.

Në një aktivitet për këtë reformë, ku të pranishëm ishin edhe krerët e KLGJ dhe KLP, kryediplomatja amerikane tha se ata kanë një rol thelbësor në çuarjen përpara të reformës.

 

Ambasadorja Kim iu drejtua me një mesazh të prerë edhe politikanëve dhe gjithë sistemit gjyqësor, teksa u shpreh se “Le të ndalojmë së shtiruri dhe të çojmë reformën përpara”.

Ambasadorja Kim: “Duhet të gjejmë mënyrën se si të ecim përpara. Ne do të njihemi me hollësitë e gjetjeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Institucionet e reformës në drejtësi tashmë janë ngritur. Është e rëndësishme për ne të kuptojmë punën e KLGJ dhe KLP, si kanë ecur deri tani. SPAK ka prokurorët. Klasa e parë e hetuesve të BKH do të përfundojë trajnimin së shpejti. Ka shumë gjyqtarë e prokurorë që janë larguar nga detyra dhe kjo është një gjë e mirë. Nëse jemi serioz për kapjen e momentit në të cilin është Shqipëria, për të pasur një Shqipëri më të mirë dhe më të denjë si anëtare e BE, më të sigurt dhe po aq të begatë sa çdo anëtar tjetër i BE, reforma në drejtësi duhet të vazhdojë.

Le të ndalojmë së shtiruri dhe të çojmë reformën përpara. E kuptoj që puna e gjyqtarëve nuk është e lehtë, por është e rëndësishme. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos kemi sukses në këtë reformë. Së pari, KLD duhet të plotësojë detyrën e tij për të pasur një SPAK me gjyqtarë që kanë kaluar Vettingun. Nuk ka dyshim që plotësimi i vendeve bosh, të shkaktuara nga Vettingu ka qenë alarmuese. Por, KLD ka mundësinë për të rikthyer procesin ne shtegun e duhur. Këshilli duhet të veprojë tani për të bërë një vlerësim të sistemit, duke bërë hartësimin gjyqësor dhe duke iu kërkuar llogari magjistratëve.

Këshilli duhet të themelojë e caktojë mirë standardet, me qëllim që t’iu kërkojë llogari magjistratëve. Këshilli duhet të ndjekë rregullat e procedurat, në kohën e përcaktuar nga ligji. KLGJ e KLP kanë shumë punë përpara, por nuk janë vetëm. Ne e kuptojmë që ata janë qenie njerëzore. Ne e kuptojmë trysnin, ndoshta jo aq mirë sa ju, por e kuptojmë po aq sa ju rëndësinë e të ecurit përpara. Ky është momenti, ju keni rol tejet të rëndësishëm. Fëmijët, brezi i ardhshëm, e kanë mendjen te ju. Askush nuk mendon që është gjë e lehtë, e di që ka një kosto vetjake dhe profesionale, por është një kosto që ja vlen, se është në të mirë të shtetit shqiptar. Nëse ju nuk jeni të guximshëm, të paguani kostot, apo nëse të gjithë ne nuk i paguajmë kostot, do t’i paguajnë brezat e ardhshëm”, deklaroi prerë ambasadorja Yuri Kim.

Pa insistimin e ambasadores Kim dhe ambasadorit të BE Soreca, kjo Reformë do ishte sabotuar. Por tani, me sa duket, do kemi rezultatet e para të Reformës, arrestimet VIP

Login to post comments