Bashkia e Tiranës rezulton ndër institucionet më problematike për shkak të mënyrës së zhvillimit të procedurave dhe përzgjedhjes së fituesit në tendera.
Të dhënat e grumbulluara dhe analizuara nga Open Data tregojnë se vetëm nga janari në qershor, institucioni i drejtuar nga Veliaj ka shpërndarë më shumë se 2.4 miliardë lekë në mënyrë të dyshimtë.
Kjo vlerë është dhënë për nënshkrimin e 48 kontratave, të cilat janë shoqëruar me flamurin e kuq që sinjalizon se ka një sjellje që ngrenë dyshime për papajtueshmëri me ligjin.
Nga vëzhgimi rezulton se në 32 raste në prokurimet e zhvilluara në kryeqytet ka marrë pjesë vetëm një kompani, që sigurisht më pas ka arritur të sigurojë edhe kontratën për të cilën ka shfaqur interes.
"KLSH dorëzon dosjet në SPAK", Shehu: U zbuluan 2.2 miliard euro dëme në kohën e pandemisë
Për këto procedura që ndiqen thuajse në çdo institucion, ka ngritur shqetësimin edhe Agjencia e Prokurimeve Publike, e cila në raportin e vitit 2020 thekson se janë konstatuar raste kur pjesëmarrës ka qenë vetëm 1 subjekt dhe është shpallur fitues edhe pse ka pasur mangësi në dokumentacion.
Megjithatë, edhe kur në garë kanë marrë pjesë 2 ose më shumë kompani, bashkia e drejtuar nga Veliaj apo institucionet në varësi të saj i kanë skualifikuar të gjitha duke mbetur në fund sërish vetëm 1 subjekt.
Në dokumente kjo është argumentuar me mangësi në plotësimin e kritereve apo dokumentacion.
Por përjashtim nuk bëjnë as rastet kur kompanitë që futen në garë nuk paraqesin as ofertë dhe as dokumentacion, duke siguruar kështu në mënyrë automatike skualifikimin.
Kontrata më e madhe e nënshkruar në këtë mënyrë është ajo për shtesën e impiantit të përpunimit të ujit të pijshëm në Bovillë me fond limit 1.7 miliardë lekë.
Disa herë Komisioni i prokurimit publik ka rrëzuar vendimet e bashkisë Tiranë pasi është konstatuar se operatorët ekonomikë janë diskriminuar dhe trajtuar në mënyrë të pabarabartë