Presidenti Ilir Meta dhe kryedemokrati Lulzim Basha kanë reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë në Velipojë, ku mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën dy të tjerë.
Kreu i Shtetit apelon për hetim të plotë të rrethanave dhe shkaqeve, ndërsa shton se prej kohësh i ka bërë thirrje policisë që të mbajë nën mbikqyrje territorin me qëllim parandalimin në kohë të veprave të rënda penale.
Meta nënvizon se rendi dhe siguria publike janë dëmtuar seriozisht dhe kërkojnë masa të reja për garantimin e tyre. Ai evidenton se situata ka dalë jashte kontrollit dhe se autoritet e larta shtetëror duhet të mbajnë përgjegjësi, duke hequr dorë nga propaganda "cinike".
"Plazhet dhe qendrat e qyteteve tona nuk e meritojnë t'i ngjajnë shesh-betejave të 'Wild West'", duke shtuar se dëmtohet imazhi i vendit te turistët e huaj.
Kryetari Lulzim Basha thotë se policia është kthyer në vegël të regjimit dhe se përgjigja ndaj këtyre ngjarjeve, sipas tij, është “hëngshin kokat e tyre”.
Duke theksuar se jeta e qytetarëve është në rrezik, ai ndalet edhe te postimi i kryeministrit Edi Rama për Velipojën, të cilin e fshiu pak pasi e shpërndau në rrjetet sociale. Duke e cilësuar postim cinik, Basha thotë se Rama nuk mund ta fshehë dot përgjegjësinë përballë këtyre situatave.
"Me postimin cinik si i sotmi pas masakrës së Velipojës, përgjegjësi për këtë situatë nuk e fsheh dot përgjegjësinë e tij, por vetëm rikonfirmon gjunjëzimin e shtetit para krimit të bërë njësh me pushtetin e tij të korruptuar deri ne palcë", shkruan ai në rrjetet sociale