Nga Kim Mehmeti - 28/06/2021
Velipoja është e bukur. Dhe si askund tjetër, aty deti frymon shqiptarçe, me frymën e pushuesve të ardhur nga gjitha trojet shqiptare.
Por Velipoja e sotme është e zymtë dhe e trishtë, sepse në orët e para të së dielës, aty u vranë katër veta. Katër veta që kurrë më nuk do i gëzohen as bukurisë së Velipojës, as ardhjes së verës.
E katër veta janë shumë edhe për rrethana lufte, e jo më për një sezon turistike. Dhe mbase sot do flitej për pesë viktima në Velipojë, nëse çdo gjë do varej nga ndihma e shpejtë e këtushme dhe, nëse nuk do ishte një mjek pushues nga Kosova, i cili ia shpëtoi jetën kosovarit të ri që i humbi ndjenjat duke u futur në ujë.
Po, në Shqipëri më shpesh ndodhin vrasje se dasma si dhe, në mëmëdhe më shpesh marrin jetë veturat luksoze të drejtuara nga fëmijët e pasanikëve, se sa që bëhen fejesa.
Dhe ku ta dish, mbase edhe nuk ka si të jetë ndryshe në një shtet ku kryeministri uron ‘që ata t’ia hanë kokën njëri tjetrit’.
Në një shtet pra ku populli nuk e kupton se, aty ku qeveritarët e hanë shtetin, shtetasit ndjehen të pambrojtur dhe andaj, i shkrepin armët dhe ia hanë kokën njëri tjetrit.
Po pra, Velipoja është e bukur, siç janë të bukura të gjitha viset tjera të Shqipërisë. Por ka diçka që këtë bukuri e bënë të trishtë: e vërteta se në mëmëdheun tonë çdo gjë tjetër vlen e çmohet më shumë se jeta e njeriut! Si dhe e vërteta se qytetari i pambrojtur i Shqipërisë mbytet në balën që e ngjesh hajdutëria qeveritare dhe krimi i organizuar