Ndihmëssekretari amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, viziton Shqipërinë. Vizita e tij në Shqipëri është në kuadër të turit të Ballkanit. Ndërkohë, mësohet se gjatë qëndrimit në vendin tonë ndihmëssekretari amerikan Philip Riker do të takohet me Kryeministrin Edi Rama dhe me kryetarin e Opozitës, Lulzim Basha.
Me kreun e opozitës të sapomandatuar për të drejtuar PD-në edhe për 4 vitet e ardhshme do të takohet në mesditë në orën 11:30. Ndërkohë, Reeker pas Shqipërisë, do të udhëtojë edhe në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut.
Vizita e zyrtarit të Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vjen në një kohë kur Shqipëria sapo nuk ka marrë një datë nga Bashkimi europian për mbajtjen e mbledhjes së parë ndërqeveritare.
Ndërkohë, ditën e djeshme Kryeministri Rama së bashku me drejtuesit e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë kërkuan edhe ndihmën e SHBA-së që të ndikojë te BE-ja në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të shkojnë drejt BE-së.