Kreu i PD, Lulzim Basha i është përgjigjur interesit të mediat lidhur me Forumin Ekonomik të zhvilluar sot në Shkup, e kryesisht mesazheve për minishengenin Ballkanik.
Për Bashën takimi i sotëm nuk prodhoi asgjë përvec se një protagonizëm të tepruar, një film që sic tha kryedemokrati, shqiptarët e kanë parë e stërparë.
“Mendoj që takimet po bëhen kaq shpesh, nuk e di se çfarë po prodhojnë, përveç fotove. Që lëvizja e lirë në rajon të funksionojë duhet të punohet për eliminimin e kërcënimit të fundit për stabilitetin në rajon, njohjen e ndërsjelltë të Kosovës dhe Shqipërisë. Lëvizja e lirë është një synim ku janë të përfshira vendet e Ballkanit Perëndimor. Që kanë dëshirë për të dalë në këto ditë të nxehta për të bërë fotografi nuk është një çudi e madhe për mua.
Është një film i stërparë por po kthehet në një alibi për ngecjen në vend. Partia Demokratike e mbështet dialogun por nuk kemi lënë asnjë dilemë për përfundimin e këtij dialogu. Ne jemi të lumtur që SHBA dhe BE janë të qartë përsa i përket këtij objektivi.
Dua të theksoj se asnjë takim nuk duhet të shërbejë si alibi për të ikur detyrimeve kushtetuese që ka çdo kryeministër shqiptar për tu kujdesur për fatin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Fati i tyre i keq është çregjistrimi i shqiptarëve nga vendi i tyre. Nuk e di sa kohë i ka kushtuar Edi Rama kur flet me mikun e tij Vuçiç, dhe nëse shpenzon kohë, e ka mbajtur të fshehur”- tha Basha