Genc Pollo/Cungimi fatal i bazave detare dhe reagimi, qytetar, politik e diplomatik

E mërkurë, 13 October 2021 10:04

Cungimi fatal i bazave detare dhe reagimi, qytetar, politik e diplomatik

Në korrik të këtij viti botova një artikull me shqetësimin se dhënia e pa kriter e territorit të bazave të marinës luftarake për projekte turistike dëmtonte seriozisht jo vetëm kapacitetet mbrojtëse të shtetit por cënonte jo pak edhe aftësinë për të kontrolluar aktivitetet e kundraligjshme në det dhe për t'u ardhur në ndihmë anijeve në vështirësi. Shkrimi i referohej bazës detare të Kepit të Palit (njihet edhe si Bishtpalla) e cila po tentohej të kthehej në marinë jahtesh dhe asaj të Limionit afër Sarandës. Këtë të fundit qeveria e ka dhënë me VKM për një kompleks turistik por që nuk u është dorëzuar akoma privatëve: ushtarakë me kurajo qytetare e ndërgjegje patriotike nuk firmosin për dorëzimin e aseteve. Në të dyja raste është dhunuar ligji, është abuzuar me pronën shtetërore; me gjasë motivi ka qenë korrupsioni.

1-Masakrimi rilindist i të gjitha bazave detare

Para pak ditësh një artikull investigativ i gazetarit Ferdinand Dervishi zbulonte një realitet shumë më të rëndë. Të gjitha bazat detare ekzistuese nga Shëngjini në Sarandë ishin cunguar, rrudhur e mpakur. Një pjesë ishin bërë jooperative si pasojë. Në të gjitha rastet ishte vepruar me shkelje të shumëfishta të ligjit; ishte anashkaluar përherë miratimi me shkrim i Komandantit të Përgjithshëm (Presidentit të Republikës) që ishte i detyrueshëm në çdo rast; disa here ishin shpikur artifice proceduralë, p.sh. manipulim i koordinatave gjeografike, të cilat vetëm mendja e shejtanit mund t'i pjellë. Dëmin më të madhe kishte pësuar Pasha Limani në Orikum, i vetmi që ka standartet e një baze detare të plotë. Aty ishte katandisur kokoshi një thelë mbasi sipërfaqja e saj u reduktua me 85%. Ironikisht ishte ministri i Mbrojtjes, bashkëshkaktar direkt i kësaj masakre, i ofroi NATO-s këtë bazë detare në tetor 2019. Tre vjet më parë qeveria i kishte hequr bazës 84 ha: 14 hektarët e mbetur, sipas specialistëve, janë të pamjaftueshme për funksionimin e plotë të një baze detare.
Artikulli i mësipërm u publikua në disa portale e website. Në disa syresh u hoq pas dy tre orësh mbasi vringëlluan celularët nga lart. Përgëzime atyre që e botuan dhe sidomos autorit e fondacionit INA MEDIA (me fonde të ambasadës amerikane) që financoi investigimin si dhe ish zëvendëskomandantit të Forcës Detare kapiten Artur Meçollari. Ky i fundit, i shkarkuar sepse i rezistoi eprorëve plaçkitës.

2-Si rrënohet kapaciteti, përgjegjësia e sovraniteti i shtetit

Që nga viti 2000 mbrojtja kombëtare nuk është dhe aq në mendjen e publikut shqiptar dhe politikanëve të tij. Supremacia e Perëndimit pas rënies së komunizmit e anëtarësia në NATO dhanë ndjesinë e garancisë së sigurisë. Forcat e Armatosura bënin lajm e PiAr për qeveritarët me ushtarët që përcilleshin në Rinas për në vise të largëta në luftime që nganjëherë po rezultojnë pa kuptim. Dhe detet Adratik e Jon, me flotën e 6-të amerikane në Mesdhe, shiheshin si liqen euroatlantik. Por situata e sigurisë është bërë dora dorës më sfiduese gjatë dekadës së fundit dhe nevojiten një debat i ri e thekse të reja. Edhe për nevojën e bazave detare. Por përtej anës ushtarake: sipas Strategjisë së Sigurisë anijet e Rojes Bregdetare shqiptare duhet të arrijnë në rast nevoje, si p.sh lundërthyerje, për dy orë në pikat më të larta në perimetrin e zonës së përgjegjësisë së Shqipërisë në ujrat ndërkombëtare (përtej kesaj vije përgjegjësia ështe e Italisë; në jug e veri përkatësisht e Greqisë dhe e Malit të Zi). Për shkak të gjymtimit të bazave detare gjatë këtyre viteve kjo është bërë e pamundur. Në kanalin e Korfuzit kemi trafik të dendur anijesh e si pasojë mundësi të lartë të ngjarjeve me emergjencë. Mungesa e bazës së Limionit do të thotë se Shqipëria nuk ushtron dot përgjegjësinë e saj. Në fakt nuk ushtron dot sovranitetin e saj! Këtë le t'a mendojnë pak më gjatë ata që investohen në debatin e kilometrave katrorë e të kufirit të detit territorial.

3-Po Presidenti?! Po opozita?!

Presidenti i Republikës dhe shefi i opozitës kanë reaguar vjet mbi këtë çështje me nga një deklaratë kritiko-dyshuese e denoncuese, çka është pozitive. Por, për gravitetin e skandalit, e pamjaftueshme! Presidenti lipset të prononcohet qartë mbi thelbin e problemit. Dhe nëse është dakord me sa më lart atij nuk i mungojnë instrumentat politiko-ligjorë për të vepruar: nga përcaktimi publik i politikanëve e ushtarakëve përgjegjës për këtë skandal, tek zotimi se në asnjë rast nuk do të dekretojë të parët e gradojë të dytët e deri tek mbledhja e posaçme e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për këtë çështje.
Deputetët e opozitës duhet të kenë parasysh se vlera e tregut të trojeve të tjetërsuara në këtë rast sipas investigimit është afro 200 milionë euro. Pra më shumë se dëmi finaciar nga rasti "Beccheti" apo "Inceneratorët" për të cilët ata, me të drejtë, kanë kërkuar komisione hetimore. Ndërkohë që dëmi ku e ku më i madh në rastin tonë është cungimi i aftësisë detare mbrojtëse e ndërhyrëse të Republikës. Duke pritur SPAK-un, i cili siç duket nga artikulli investigative, gjashtë muaj pas dy kallezimeve penale nga ish zëvendëskomandanti i Forcës Detare, ende nuk ka "persona nën hetim", deputetëve nuk u mungojnë "mjetet e punës". Në Kuvend ato fillojnë me pyetjet me shkrim e deri tek mocioni me debat. Që të mos biem në inflacion me "hetimoret".

4-Po ambasadori?!

Në përgjithësi unë nuk shkruaj për rolin e ambasadorëve në jetën politike të Tiranës jo vetëm sepse mjafton e tepron mbulimi mediatik ose ndonjëhere teprimi mediatik i atyre vetë. Por sepse më duket se tematizimi konstant i tyre pengon disi, të paktën psikologjikisht, ndjenjën e përgjegjësisë qoftë personale apo kolektive ndër aktorët politikë. Apo emancipimin siç mund të quhet ndryshe.
Kam bërë përjashtim para zgjedhjeve kur njëri syresh apelonte publikisht për dorëheqjen e një deputeti problematik por mbyllte gojën para favoreve shumëmilionshe të qeverisë ndaj deputetit; që mundësonin elektoratin e tij. Apo kur një tjetër më herët i bënte thirrje mediatike elektoratit kavajas të mos votonte kandidatin me preçedentë penale i cili kontrollonte strukturën shtetërore e nëntokën kriminale. Por nuk thoshte një fjalë të keqe për kryeministrin/kryetar partie që e kandidonte/rikandidonte kandidatin në fjalë. Kam shkruar edhe për kolegët e mi në dilemë në se shihnin hipokrizi apo pamundësi.

Një ambasador i një shteti shumë të rëndësishëm të NATO-s ka shpallur në dy vitet e fundit si prioritet të marrëdhenieve me Shqipërinë fushën e mbrojtjes. Këtu interesat e shtetit të tij janë të qarta; pra angazhimi duhet të jetë serioz (në prioritetin e demokracisë gjërat janë më të koklavitura).
Në të njëjtën kohë ambasadori shfaqet publikisht, në ekrane e media sociale, me ministrin, i cili është personalisht përgjegjës për cungimet e fundit të bazave detare. Nuk flas për kontakte normale zyrtare; nuk më vete mendja të bëj këtë. Por po flas për ekzagjerime PiAri në marrëdhëniet ndërpersonale që nuk i sheh në kryeqytetet e tjera të Ballkanit. Dhe këtu gjërat fillojnë të koklaviten. Uroj që miqtë e kolegët nuk do të përsiaten shumë gjatë me dilemat e tyre.

Genc Pollo
Ish ministër e deputet
13 tetor 2021

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...