'Nisma përçarëse'/ 'Shuplaka' e Ilir Metës për Edi Ramën në Prishtinë

E Enjte, 25 November 2021 09:50

 

Nga Prishtina, përballë studentëve, Presidenti Ilir Meta është shprehur kundër nismës së “Ballkanit të Hapur”, të ndërmarrë nga Kryeministri Rama, Presidenti Serbisë Vuçiç dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zaev.

Sipas kreut të shtetit, nisma e Ballkanit të Hapur nuk është e njëjtë me Procesin e Berlinit e iniciuar nga Kancelarja Merkel, pasi ky i fundit zhvillohet përmes një procesi me garanci, ndërkohë që Ballkani i Hapur nxit përçarjen dhe është përjashtues. “Procesi i Berlinit është gjithëpërfshirës dhe ka dhënë rezultate konkrete, pasi shoqërohet me garancitë dhe mbështetjen financiare të BE-së, që ka ngritur mekanizma zbatues dhe monitorues. Përkundrejt kësaj, Ballkani i Hapur është nisëm përçarëse dhe përjashtuese”, ka deklaruar Presidenti Meta.

 

Në këtë kontekst, Presidenti foli me rezerva edhe për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë. Sipas tij, të dyja vendet kanë firmosur shumë marrëveshje, por niveli i zbatimit lë për të dëshiruar. Kreu i shtetit kërkoi që të hiqet taksa e vendosur nga shteti shqiptar në Rrugën e Kombit. “Këto janë marrëdhënie jo vetëm strategjike, por edhe jetike për shqiptarët kudo që janë. Detyra jonë është të mos krijojmë pengesa dhe të çlirojmë vendin nga burokracia. Janë shumë marrëveshje të firmosura, por pak rezultate konkrete. Do të ketë një takim të ri mes dy qeverive ku do të ketë një bilanc për rezultatet konkrete. Këtë kërkojnë të gjithë qytetarët. Duhet të eliminohen njëherë e përgjithmonë. Duhet të jetë angazhimi i të gjithëve, taksa e Rrugës së Kombit duhet të hiqet. E kam thënë dhe më herët. Të ndalosh kalimin duke vendosur pagesën gjatë sezonit turistik është shqetësuese. Shyqyr që ju nuk keni vendosur reciprocitetin”, tha Meta.

 

BASHKIMI SHQIPËRI-KOSOVË

 

Më tej, kreu i shtetit u shpreh se është e pabesueshme për të që në rajonin tonë të ndodhin ndryshime kufijsh as për një fshat të vetëm. Sipas Metës, tema të tilla hapen nga njerëz të cilët nuk duan t’i shërbejnë integrimit europian të rajonit. “Me rëndësi t’u qëndrojmë parimeve gjithëpërfshirëse si deri tani, nuk kam besuar asnjëherë e s’kam për të besuar asnjëherë në këtë botë se në këtë rajon mund të ndryshojnë kufijtë edhe në një fshat të vetëm. Për mua është e pabesueshme se historia e ka treguar këtë. Çdo hapje e temave të tilla kërkon të minojë të ardhmen europiane të rajonit tonë dhe është në interes të tjetërkujt, nuk është në interes të asnjë populli të rajonit tonë. S’ka zgjidhje duke pasur më pak serbë në Kosovë apo më pak shqiptarë në Serbi, apo kudo tjetër. Zgjidhja është më shumë demokraci e të drejta të minoriteteve”, tha Presidenti.

Ndërkohë, për procesin e integrimit të Shqipërisë, Ilir Meta u shpreh se vendi ynë ka humbur shumë kohë. Sipas kreut të shtetit, integrimi i Shqipërisë ka ngecur për shkak të problemeve të brendshme politike. “Mali i Zi i ka çelur negociatat që ne si Shqipëri akoma që në 2012-ën dhe të gjithë kapitujt. Serbia i ka çelur në 2014-ën. Ne akoma, ne një popull 100% pro-europian. Kur nuk ka asnjë diskutim, asnjë dilemë, asnjë problem serioz apo dramatik me fqinjët, siç e ka pasur Maqedonia e Veriut, vetëm problemet e brendshme politike dhe mungesa e vullnetit politik të klasës politike për të përmbushur reformat.

Se po të përmbushen reformat, nuk mund të kishte kaq shumë koncesione sa dëgjoni ju në Shqipëri dhe do të kishte konkurrencë, një funksionim tjetër të shtetit të së drejtës, do të kishte shumë më tepër investitorë të huaj, por kjo cenon interesat e grupeve të caktuara. Nuk është e lehtë për të nxjerrë pretekst për të mos bërë diçka e për të fajësuar tjetrin, për fat të keq kjo ka ndodhur vitet e fundit shpesh mes maxhorancës dhe opozitës, ku të dy lidershipëve duket sikur u ka interesuar ky proces, dhe ata që e kanë paguar janë qytetarët e Shqipërisë”, vijoi Meta.

PËRPLASJA ME BASHËN

Në Kosovë Presidenti Ilir Meta gjatë një interviste në “ATV” u pyet edhe për përplasjen me kreun e PD-së, Lulzim Basha, ditët e fundit. Sipas Presidentit, Basha ishte i vendosur për të mos i fituar zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa rëndoi akuzën duke thënë se kryedemokrati s’ka qenë asnjëherë në opozitë me Kryeministrin Rama. “Basha nuk ka qenë asnjë ditë në opozitë me Ramën. Të jesh në opozitë është një mision, përgjegjshmëri. Mbron ata që kanë votuar partinë në pushtet për të qeverisur. Përpara pak ditësh, e mbani mend mandatin e parë të Bashës kur unë isha kryetar Parlamenti. Ai më kërkoi nja 5 herë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Parlamentit. Unë bëra gjithçka që PD-ja të përfshihej në reforma. Basha ishte i vendosur për të mos fituar zgjedhjet. Çfarë e pengoi të vendoste në listat e deputeteve një personalitet të nderuar si ish-Presidenti, z. Bujar Nishani”, tha Meta.

Kreu i shtetit i është përgjigjur akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha lidhur me “Trekëndëshin e Bermudës”. Ilir Meta shprehet se Basha shquhet për lapsuse, por nuk i shpëton dot katërkëndëshit të përgjegjësive të tij madhore. “Kryetari aktual i papjekur i PD-së mu lut me lot në sy të shtyja zgjedhjet lokale. Për të shmangur një gjakderdhje të mundshme dhe për të ndihmuar opozitën të dilte nga ky qorrsokak ku e kishte futur për të disatën herë kryetari i papjekur i PD-së, u detyrova të shtyja zgjedhjet. Djegia e mandateve dhe zerimi i opozitës ne pushtetin vendor janë nga aktet me skandaloze dhe më të renda që tronditën themelet e shtetit ligjor dhe demokracinë. Nuk kanë asnjë këshilltar në bashkitë e vendit. Kjo është një faturë shumë e rëndë e opozitës aktuale në Shqipëri. Këto akte e ndihmuan dhe e përshpejtuan kapjen totale të shtetit. Megjithatë, opozita së shpejti shpresoj të marrë në dorë rolin që i takon. Sa i takon Bashës dhe deklaratave të tij për ‘Trekëndëshin e Bermudës’, ai shquhet jo vetëm për lapsuse në matematikë, por së fundmi edhe në gjeometri. Basha më kot i shmanget, por nuk i shpëton dot katërkëndëshit të përgjegjësive të tij madhore”, u shpreh Presidenti

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...