Lajçak: Çështja e të pagjeturve përparësi në bisedimet Kosovë-Serbi, takimi i radhës në korrik

E mërkurë, 29 June 2022 22:42

 

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të mërkurën se është vënë në përpjekje për të organizuar një takim politik të nivelit më të lartë, para pushimeve të verës, për t’i dhënë një shtysë të re procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Zoti Lajçak i bëri këto komente në fund të një vizite treditore në Prishtinë prej nga shkoi në Beograd.

“Siç e dini jemi organizatorë të takimeve të rregullta mujore ndërmjet kryenegociatorëve nga të dyja palët. Takimin e radhës do ta kemi në korrik. Por, gjithashtu jemi duke punuar që t’i takojmë të dy udhëheqësit, Kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiç, një takim që do të ishte ideal të ndodhë para pushimeve verore në Bruksel. Ka një numër dokumentash të cilat jemi duke i diskutuar, një dokument i rëndësishëm për personat e zhdukur, një dokument i rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal”.

23 vjet pas luftës nga e cila Kosova doli me mbi 5 mijë të zhdukur, ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1,600 prej tyre. Lajçak tha se çështja e të pagjeturve është përparësi në procesin e bisedimeve, duke paralajmëruar mundësinë e nënshkrimit të dokumenteve rreth kësaj çështjeje, por nuk dha më shumë hollësi për përmbajtjen e tyre.

 

Ai tha se procesi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke ecur mirë dhe se dëshmi për këtë është miratimi i udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë, ditë më parë në Bruksel.

“Ky dokument përmban afate të qarta kohore dhe hapa konkret të kësaj marrëveshjeje, dhe me këtë marrëveshje që arritëm javën e kaluar kemi një situatë të re ku një kompani e themeluar në Kosovë dhe sipas ligjeve të Kosovës, do të fillojë të furnizojë me energji elektrike katër komunat veriore me shumicë serbe. Kjo mundëson që të arrihet përfundimi i praktikave të deritashme jotransparente dhe që të gjithë konsumatorët në Kosovë të kenë të njëjtat të drejta dhe detyrime”, tha ai.

Vitin e kaluar, Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiç u takuan dy herë në Bruksel, por pa ndonjë përparim. Që nga ajo kohë, zoti Lajçak ka zgjedhur të zhvillojë takime të ndara që të sigurohet se takimi i radhës të ketë rezultate konkrete.

“Nuk dëshirojmë t’i shohim udhëheqësit që takohen e pastaj e kritikojnë njëri tjetrin, dëshirojmë të shohim që takohen dhe pajtohen për gjëra që janë të rëndësishme për qytetarët në Kosovë dhe në Serbi. Siç e dini, kam patur mundësinë të jem në darkë joformale në muajin maj në Berlin me Kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiç, dhe tani ndjej se e kemi vrullin që të zhvillojmë takime më të shpeshta e më të rregullta ndërmjet udhëheqësve”, tha ai.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 dhe që atëherë janë arritur një varg marrëveshjesh.

Një anketë e Institutit Demokratik të Kosovës, e zhvilluar në Kosovë dhe Serbi, nxjerr në pah se qytetarët janë përgjithësisht të pakënaqur nga rezultati i bisedimeve. Sipas studimit që u publikua të mërkruën, 49.3 për qind e të anketuarve në Kosovë dhe 56.5 për qind e atyre në Serbi besojnë se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë siç kanë qenë pavarësisht bisedimeve.

“Vetëm 11 për qind e të anketuarve në Kosovë dhe 7.9 për qind në Serbi, besojnë se qytetarët po përfitojnë diçka nga ky proces”, tha Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Në Kosovë, sipas studimit, Serbia shihet si përgjegjëse për mungesën e përparimit, ndërsa në Serbi përgjegjës shihet Bashkimi Evropian. 75.4 për qind e të anketuarve në Serbi dhe 70.3 për qind e të anketuarve në Kosovë nuk janë të kënaqur me rolin ndërmjetësues të Bashkimit Evropian në procesin e bisedimeve.

Në pyetjen se a mendojnë që Serbia dhe Kosova mund të arrijnë një marrëveshje përfundimtare që përfshin njohjen e ndërsjellë, 35.4 për qind e të anketuarve në Kosovë e besojnë një gjë të tillë, ndërsa në Serbi 56.1 për qind besojnë se nuk do të ketë fare marrëveshje përfundimtare./VOA/

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...